Mickoski: Nuk mund t’i lejojmë BDI-së monopol mbi shtetin

Edhe pse ka paralajmërime se nga java e ardhshme do të intensifikohen konsultimet për zgjerimin e shumicës parlamentare, që të sigurohen 2/3 e votave në Kuvend, të domosdoshme për ndryshimet kushtetuese, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski pret zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2023, të cilat, sipas tij, do të mbahen në maj.

Marketing

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme imponohen si zgjidhje e vetme për problemet me të cilat ballafaqohet shteti, por edhe si rezultat i proceseve të brendshme në LSDM, BDI dhe Alternativës në pushtet.

Nëse zgjedhjet nuk mbahen në maj, atëherë nuk ka logjikë që ato të jenë para mandatit të rregullt në vitin 2024, por, siç thekson ai, nuk do të marrin pjesë në planin e qeverisë nëse ai përfshin fillimisht presidencialet dhe më pas zgjedhjet parlamentare.

“Është joreale ajo që thotë Kovaçevski për zgjedhjet e vitit 2024, fillimisht zgjedhjet presidenciale dhe më pas ato parlamentare. Në një rast të tillë, zgjedhjet presidenciale do të jenë të pasuksesshme dhe postin do ta mbajë kryetari i Kuvendit, ndërsa BDI-ja përveç pozitës së kryeparlamentarit, do të ketë edhe kryeministër teknik sipas marrëveshjes që kanë me LSDM-në, që do të thotë monopol. BDI do të kishte kryetar të Kuvendit, kryetar shteti dhe kryeministër teknik. Maqedonia nuk mund ta përballojë këtë.”, -deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickoski në brifingun e fundvitit me gazetarët.

Ai pohon se janë duke punuar për të siguruar shumicën për të detyruar qeverinë të shpallë zgjedhje të parakohshme në pranverë.

Ai hedh poshtë çdo mundësi për të marrë pjesë në negociatat në mbështetje të ndryshimeve kushtetuese me qëllim që bullgarët të hyjnë në preambulën Kushtetuese, që është kusht për hapjen e kapitujve të negociatave me BE-në.