Ja kush është qyteti me numrin më të lartë të vrasjeve në Shqipëri

Gjatë vitit që lamë pas rendi dhe siguria u cënua disa herë. Përgjatë 12 muajve të vitit 2022 nuk munguan krimet e rënda kundër jetës, duke përfshirë vrasje mafioze, vrasje si pasojë e konflikteve të çastit apo për shkak të problemeve të vjetra.

Marketing

Nga Janari deri në Dhjetor u regjistruan 47 vrasje duke shkaktuar kështu 54 viktima. Nga këto ngjarje 34 janë zbardhur nga ana e autoriteteve, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, ndërsa 13 të tjera vijojnë të jenë pa autor. Mes këtyre vrasjeve, 10 u regjistruan brenda familjes.

Vrasja e parë për 2022, u shënua vetëm 4 ditë pas ndërrimit të viteve. Në zonën e Don Boskos, në një prej lokaleve më të frekuentuara, një automjet që ndodheshin dy persona, qëlloi breshëri kallashnikovi, drejt tavolinës që ndodhej afër rrugës. Si pasojë mbeti i vdekur Erjon Çela, ndërsa të plagosur vëllai dhe daja e tij, si dhe dy klientë të tjerë të lokalit.

Për 10 muaj me radhë, autoritetet ishin të bindur se sulmi me armë ku mbeti i vdekur Çela ishte për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por nga dëshmia e dy vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj, rezultoi se autori kishte ngatërruar objektiv. Sipas hetimeve Kasandër Noga përmes Kevin Zenelit, kishte porositur vrasjen e Geron Hasanbellit, por që viktimë mbeti një tjetër person.

Atentatet mafioze u rikthyen në prill ku u vra Iljaz Çali në autostradën Tiranë-Durrës dhe Nazmi Bandulla, ngjarje të dyja të pazbardhura ende.

Një tjetër ngjarje mafioze u regjistrua në 18 Maj ishte ajo e vrasjes së Arben Merkurit. Për eliminimin e tij dhanë detaje dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj, sipas të cilëve ishte porositur nga i kërkuari i policisë Kevin Zeneli por pa treguar ekzekutorin.

Atentatet mafioze vijuan më pas edhe në Qershor, ku në fillim të muajit, me datë 3 u vra në Shkodër Naim Bajri, ngjarje e pazbardhur ende, e dyshuar me motiv për shkak të konflikteve të vjetra.

Vetëm një javë pas kësaj ngjarjeje, në kryeqytet u hodh në erë automjeti me të cilin po udhëtonte Aleksandër Sadikaj, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve. Edhe kjo ngjarje vijon të jetë e pazbardhur.

Mirëpo nuk ishte vetëm kjo ngjarje një nga krimet më të rënda pasi një krim makabër u regjistrua edhe me 17 Korrik, ku në mbikalimin e Fushë-Krujës, u ekzekutuan tre persona. Ata ishin Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Eliminimi i tyre u konsiderua nga hetuesit si një larje hesapesh mes grupeve kriminale, pasi tre viktimat i përkisnin grupit të të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Ata u qëlluan me breshëri plumbash, ndërsa autorët i vendosën dhe flakën makinës me të cilën po lëviznin viktimat.

Pa kaluar një javë nga krimi makabër, një tjetër atentat ndaj grupit të Martinajt u shënua në Laç. Si pasojë e breshërisë së plumbave mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe mbeti i plagosur rëndë Ylli Ibrahimi. Të dyja këto ngjarje që për policinë dhe prokurorinë konsiderohen si goditje ndaj Ervis martinajt, vijojnë të jetë të pazbardhura.

Muaji Gusht ka të dhënat më të rënda për sa i përket situatës kriminale. Gjatë këtij muaji në sezonin veror u kryen 13 vrasje me 16 viktima.

Vetëm ditën e dytë të muajit Gusht, u vra Jonada Avdia nga efektivi i policisë Arjan Tase. Një ngjarje e paralajmëruar, që tronditi jo pak opinionin publik. E mitura u godit nga skafi në plazhin e Potamit që drejtohej nga efektivi Tase.

Më pas gjatë muajit një prej atentateve mafioze që ende nuk dihen autorët është vrasja e Shpati Lena dhe Hakim Xhezo në Vlorë. Kjo ngjarje sipas policisë ka ndodhur për hakmarrje pasi dy viktimat ishin përfshirë në vrasjen e një biznesmeni në 2019.

Ndërkohë në fund të muajit Gusht, opinioni publik në kryeqytet dhe jo vetëm u trondit nga vrasja e burrë e grua Dritan dhe Nora Muskurti. Dy bashkëshortët u qëlluan për vdekje në biznesin e tyre në rrugën ‘Islam Alla’, nga Arsen Muskurti, vëllai dhe kunati i dy viktimave. Ngjarja ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve për biznesin por dhe për shkak të një borxhi.

Qyteti me numrin më të lartë të vrasjeve për 2022 e mban Shkodra, me 11 të tilla që pasohet nga Tirana me 8 dhe më pas qytetet e tjera. Ndërkohë qarku pa vrasje është Gjirokastra.

Në Shkodër gjatë vitit përveç ngjarjeve për hakmarrje mbizotëruan edhe atentatet mafioze për shkak të konflikteve mes grupeve kriminale. Në 2 Shtator vritet Ismet Çekorja, vetëm pak ditë pasi djali i tij ishte përfshirë në një plagosje dhe ishte shpallur në kërkim nga policia. Pas vrasjes së Çekores Shkodra u trondit sërish, ku në një lokal u ekzekutua 19-vjeçari Erion Xhenje.

Një ngjarje kriminale ishte vrasja e Briken Sanajt në kryeqytet. Ai u vra në zonën e rezidencës së Kodrës së Diellit. Kjo ngjarje u zbardh brenda pak javësh por autori nuk u arrestua. Sipas hetimeve, autor i kësaj ngjarjeje rezultoi Vladimir Kola, i cili dyshohet se ndodhet në Belgjikë. Kjo ngjarje erdhi pas një konflikti 10-vjeçar mes familjeve Kola dhe Sanaj.

Pas ekzekutimit të Briken Sanajt, një tjetër ngjarje e rëndë ishte ajo e eliminimit të Edmond Papës në zonën e Selitës në Tiranë. Ai u qëllua në një lokal, ndërsa autori ende nuk dihet. Hetuesit mendojnë se ai është vrarë për shkak të konflikteve për humbjen e një sasie prej 700 kg drogë në Greqi.

Për këtë arsye i është kërkuar palës fqinje informacion lidhur me aktivitetin e Papës në shtetin helen, vend në të cilin ka qenë dhe i dënuar me 7 vite burg për trafik të lëndëve narkotike. Policia greke mendon se Edmond Papa ka lidhje edhe me vrasjen e 2 shqiptarëve në Athinë që u eliminuan menjëherë pas Edmond Papës.

Vrasja e këtij të fundit ishte 47 për këtë vit, ndërsa krahasuar me vitin e shkuar kemi më pak ngjarje kriminale dhe viktima. Gjatë 2022 u kryen 14 vrasje me pak me 13 viktima më pak./Klan News

Marketing