Kujdes! Si po depërton mikroplastika në ushqimin që konsumojmë?

Ndotja nga plastika është një nga trashëgimitë më karakteristike të jetesës sonë moderne, por tani kjo ndotje është aq e përhapur saqë po depërton edhe deri te frutat dhe perimet që konsumojmë, gjatë procesit të tyre të rritjes.

Marketing

Grimcat mikroplastike e kanë infiltruar çdo pjesë të planetit. Ato janë gjetur të fundosura në Detin e ngrirë Antarktik, brenda organeve të kafshëve që jetojnë në llogoret më të thella oqeanike dhe në ujin e pijshëm kudo nëpër botë. Ndotje nga plastika është evidentuar në plazhet e ishujve të largët dhe të pabanuar dhe shfaqet edhe në mostrat e ujit detar në të gjithë planetin. Një studim vlerësoi se ka rreth 24.4 trilion fragmente mikroplastike në shtresat e sipërme të oqeaneve të botës.

Por, ato nuk ndodhen vetëm në ujë – ato janë të përhapura gjerësisht edhe në tokë dhe madje mund të përfundojnë edhe në ushqimin që hamë. Padashur, ne mund të konsumojmë fragmente të vogla plastike me pothuajse çdo kafshatë.

Në vitin 2022, analiza nga Grupi i Punës për Ambientin, një organizatë jofitimprurëse mjedisore, zbuloi se llumi i ujërave të zeza ka kontaminuar pothuajse 20 milionë hektarë tokë bujqësore në SHBA me substanca perfluoroalkile dhe polifluoroalkile (PFAS), të njohura edhe si “kimikate të përhershme”, të cilat zakonisht gjenden në produktet plastike dhe nuk shpërbëhen në kushte normale mjedisore.

Llumi i ujërave të zeza është nënprodukti që mbetet pas pastrimit të ujërave të zeza brenda një vendbanimi. Meqenëse asgjësimi kushton shtrenjtë dhe ajo substancë është e pasur me lëndë ushqyese, llumi përdoret zakonisht si pleh organik në SHBA dhe Evropë. Në Evropë, kjo ndodh pjesërisht për shkak të direktivave të BE-së që promovojnë metodat më të gjelbra për menaxhimin e mbeturinave. Rreth 8-10 milionë tonë llum i ujërave të zeza prodhohen çdo vit në Evropë dhe afërsisht 40 për qind shpërndahet në tokat bujqësore.

Për shkak të kësaj praktike, toka bujqësore në Evropë mund të jetë rezervuari më i madh global i mikroplastikës, sipas një studimi nga Universiteti i Cardiff-it. Kjo do të thotë se nga 31.000 deri në 42.000 ton mikroplastikë, ose 86 trilion deri në 710 trilion grimca mikroplastike, e ndotin tokën bujqësore në Evropë çdo vit.

Studiuesit zbuluan se deri në 650 milionë grimca mikroplastike, me përmasa midis 1mm dhe 5mm hynin çdo ditë në një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në Uellsin jugor, në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjitha këto grimca përfundonin në llumrat e ujërave të zeza, duke përbërë afërsisht 1 për qind të peshës totale, në vend që të largoheshin me ujin e pastër.

Sasia e mikroplastikës që përfundon në tokat bujqësore “me gjasë është e nënvlerësuar”, thotë Catherine Wilson, një nga bashkautoret e studimit dhe zëvendësdrejtoreshë e Qendrës së Kërkimeve Hidro-Mjedisore në Universitetin e Cardiff-it.

“Mikroplastikë gjen kudo dhe [shpesh] aq të vogël sa nuk mund ta shohim”.

Për më tepër, mikroplastika qëndron aty për një kohë të gjatë. Një studim i fundit nga shkencëtarët në Univesitetin Phillips në Marburg të Gjermanisë gjeti mikroplastika deri në thellësi prej 90 centimetrash në dheun e dy fushave agrikulturore – ku për herë të fundit ishte përdorur llumi i ujërave të zeza para 34 vjetëve. Lërimi i tokës kishte bërë që mikroplastikat të shpërndaheshin edhe në zonat ku nuk ishte përdorur llumi i ujërave të zeza.

Përqendrimi i mikroplastikave në tokat bujqësore në Evropë është i ngjashëm me sasinë e gjetur në ujërat sipërfaqësore oqeanike, thotë James Lofty, autori kryesor i studimit të publikuar nga Universiteti i Cardiff-it.

Britania e Madhe është ndër vendet me përqendrimin më të madh të mikroplastikës në Evropë, pasi që rreth 500-1.000 grimca mikroplastike shpërndahen në tokë bujqësore çdo vit, sipas studimit të bërë nga Wilson dhe Lofty.

Përveçse ka krijuar rezerva të mëdha të mikroplastikës në tokë, praktika e përdorimit të llumit të ujërave të zeza për plehërim po e përkeqëson krizën me praninë e plastikës në oqeanet tona, shton Lofty. Kjo pasi që, në fund, ato mikroplastika përfundojnë në rrugët ujore sepse shiu e pastron shtresën e epërme të tokës. “Një burim i madh i ndotjes [nga plastika] në lumenjtë dhe oqeanet tona vjen nga rrjedhjet e tilla”, thotë ai.

Një studim i kryer në Ontario të Kanadasë gjeti se 99 për qind e grimcave mikroplastike shpërndahen në vende të tjera, jashtë vendit ku llumi i ujërave të zeza ishte përdorur fillimisht.

Ndotja e mjedisit
Megjithatë, para se t’i largojë shiu, mikroplastikat mund të lëshojnë kimikate toksike në tokë. Ato jo vetëm që prodhohen nga kimikate potencialisht të dëmshme që mund të lirohen në ambient gjatë shpërbërjes së tyre, por mikroplastikat mund edhe të thithin substanca të tjera toksike, duke ua mundësuar atyre kështu ndotjen e tokave bujqësore, sipas Loftyt.

Një raport i Agjencisë britanike të Ambientit tha se mbetjet e ujërave të zeza të destinuara për tokat bujqësore angleze ishin të kontaminuara me ndotës si dioksina dhe hidrokarbure aromatike policiklike në “nivele që mund të paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut”.

Një eksperiment i vitit 2020 nga Mary Berth Kirkham, agronome nga Universiteti i Kansasit, zbuloi se plastika shërben për marrjen e kimikateve toksike, si kadmiumi, nga bimët. “Në zonat ku në tokë kishte kadmium dhe plastikë, gjethet e grurit që rritej aty kishin shumë më shumë kadmium sesa në bimët që rriteshin në zonat pa plastikë në tokë”, kishte thënë Kirkham në kohën e studimit.

Hulumtimet tregojnë gjithashtu se mikroplastika mund ta pengojë rritjen e krimbave të tokës dhe të bëjë që ata të humbin peshë. Arsyet për humbjen e peshës nuk janë zbuluar ende plotësisht, por një teori është se mikroplastika mund ta pengojë traktin tretës të krimbave të tokës, duke kufizuar aftësinë e tyre për të thithur lëndë ushqyese dhe duke e kufizuar kështu rritjen e tyre. Kjo ka një ndikim negativ edhe në ambientin më të gjerë, thonë studiuesit, pasi krimbat e tokës luajnë një rol jetik në ruajtjen e shëndetit të tokës. Aktiviteti i tyre ajros tokën, parandalon erozionin, përmirëson kullimin e ujit dhe riciklon lëndët ushqyese.

Grimcat e plastikës mund të ndotin edhe drejtpërdrejt produktet ushqimore. Një studim i vitit 2020 gjeti mikroplastikë dhe nanoplastikë në fruta dhe perime të shitura në supermarkete, si dhe në prodhimet e shitura nga shitësit vendas në Sicili të Italisë. Mollët ishin pemët më të kontaminuara, ndërsa karotat kishin nivelet më të larta të mikroplastikës nga perimet e testuara.

Sipas hulumtimit nga Willie Peijnenburg, profesor i toksikologjisë mjedisore dhe biodiversitetit në Universitetin Leiden në Holandë, produktet thithin grimcat nanoplastike – fragmente të vogla, rreth 100 deri në 1.000 herë më të vogla se një qelizë gjaku e njeriut – nga uji dhe toka përreth rrënjëve të tyre.

Analiza dëshmoi se sasia më e madhe e plastikës u grumbullua nga rrënjët e bimëve, ndërsa vetëm një sasi shumë e vogël udhëtonte deri në lastarë.

“Përqendrimet në gjethe janë shumë nën 1 për qind”, thotë Peijnenburg. Për perimet me gjethe si marulet dhe lakrat, përqendrimet e plastikës ka të ngjarë të jenë relativisht të ulëta, por për perimet me rrënjë si karotat, rrepkat dhe rrepat, rreziku i konsumimit të mikroplastikës është më i madh, paralajmëron ai.

Një studim tjetër nga Peijnenburg dhe kolegët e tij gjeti se në marule dhe grurë, sasia e mikroplastikës ishte dhjetë herë më e ulët sesa në tokën përreth. “Ne zbuluam se vetëm grimcat më të vogla merren nga bimët dhe ato të mëdha jo”, thotë Peijnenburg.

Kjo është qetësuese, shton Peijnenburg. Megjithatë, një pjesë e madhe e grimcave mikroplastike degradohen ngadalë dhe shpërbëhen në nanogrimca, duke shtuar kështu një “burim të mirë për thithjen e [plastikës] nga bimët”, shton ai.

Marrja e grimcave plastike nuk dukej se pengonte rritjen e produkteve ushqimore, sipas hulumtimit të Peijnenburgut. Por, se çfarë efekti ka kjo prani e plastikës në ushqim për shëndetin tonë është më pak e qartë.

Nevojiten studime të mëtejshme për ta qartësuar këtë, thotë Peijnenburg, veçanërisht pasi problemi vetëm do të bëhet më i madh.

“Do të duhen dekada përpara se plastika të hiqet plotësisht nga mjedisi”, thotë ai. “Edhe nëse rreziku nuk është aktualisht shumë i madh, nuk është ide e mirë të kemi kimikate të përhershme [në tokën bujqësore]. Ato do të grumbullohen dhe më pas mund të paraqesin rrezik”.

Sipas një studimi, sasia e mikroplastikës në grurë ishte dhjetë herë më e ulët sesa në tokën përreth.
Sipas një studimi, sasia e mikroplastikës në grurë ishte dhjetë herë më e ulët sesa në tokën përreth.
Ndikimi në shëndet
Përderisa efekti i gëlltitjes së plastikës për shëndetin e njeriut nuk është ende plotësisht i qartë, tashmë ka disa studime që sugjerojnë se një gjë e tillë mund të jetë e dëmshme. Studimet tregojnë se kimikatet e përdorura gjatë prodhimit të plastikës mund të dëmtojnë sistemin endokrin dhe hormonet që rregullojnë rritjen dhe zhvillimin tonë.

Kimikatet e gjetura në plastikë thuhet se kanë lidhje me një sërë problemesh të tjera shëndetësore, si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe zhvillimin e dobët të fetusit.

Gëlltitja e një sasie të madhe të mikroplastikës mund të shkaktojë edhe dëmtime qelizore që mund të çojnë në inflamacion dhe reaksione alergjike, sipas analizave nga studiuesit në Universitetin e Hull-it në Mbretërinë e Bashkuar.

Studiuesit analizuan 17 studime të publikuara më herët të cilat studionin ndikimin toksikologjik të mikroplastikës në qelizat njerëzore. Ky studim krahasonte sasinë e mikroplastikës që shkaktonte dëme në qeliza, sipas testeve laboratorike, me sasinë e mikroplastikës që konsumohet nga njerëzit përmes ujit të pijshëm, ushqimeve të detit dhe kripës. Ai zbuloi se sasitë që konsumoheshin u afroheshin atyre që mund të shkaktonin vdekjen e qelizave, por gjithashtu mund të shkaktonin reagime të sistemit imunitar, si reaksionet alergjike, dëmtimin e mureve qelizore dhe stresin oksidativ.

“Hulumtimi ynë tregon se ne po gëlltisim mikroplastikë në nivele që përputhen me efektet e dëmshme në qeliza”, thotë Evangelos Danopoulos, autor kryesor i studimit nga Shkolla Mjekësore Hull York. “Ne e dimë se mikroplastika mund të kalojë barrierat e qelizave dhe gjithashtu t’i thyejë ato. Ne e dimë se ato gjithashtu mund të shkaktojnë stres oksidativ në qeliza, që përbën fillimin e dëmtimit të indeve”.

Nëse e dimë se llumi është i ndotur me mikroplastikë dhe se bimët kanë aftësinë t’i nxjerrin ato nga toka, a duhet ta përdorim atë si pleh?”
Ekzistojnë dy teori se si mikroplastika çon në shkatërrimin e qelizave, thotë Danopoulos. Skajet e tyre të mprehta mund të çajnë murin qelizor ose kimikatet në mikroplastikë mund të dëmtojnë qelizën, thotë ai. Studimi zbuloi se mikroplastika me formë të çrregullt kishte më shumë gjasa të shkaktonte vdekjen e qelizave.

“Ajo që ne tani duhet ta kuptojmë është se sa mikroplastikë gjendet në trupin tonë dhe çfarë lloj madhësie dhe forme e mikroplastikës arrin ta kalojë barrierën qelizore”, thotë Danopoulos. Nëse plastika do të grumbullohej në nivelet në të cilat ato mund të bëhen të dëmshme përgjatë një periudhe kohore, kjo mund të përbëjë rrezik edhe më të madh për shëndetin e njeriut.

Por, edhe pa këto përgjigje, Danopoulos ngrit pyetjen nëse nevojitet më shumë kujdes për t’u siguruar që mikroplastika të mos hyjë në zinxhirin ushqimor. “Nëse e dimë se llumi është i ndotur me mikroplastikë dhe se bimët kanë aftësinë t’i nxjerrin ato nga toka, a duhet ta përdorim atë si pleh?”, pyet ai.

Ndalimi i llumit të ujërave të zeza
Përhapja e llumit në tokat bujqësore është e ndaluar në Holandë që nga viti 1995. Holanda fillimisht nisi ta djegë llumin për ta asgjësuar, por pastaj filloi ta eksportojë atë në Mbretërinë e Bashkuar, ku u përdor si pleh për tokat bujqësore, pas problemeve që u shfaqën në një fabrikë djegieje në Amsterdam.

Zvicra e ndaloi përdorimin e llumit të ujërave të zeza si pleh në vitin 2003, sepse ai “përfshin një gamë të tërë substancash të dëmshme dhe organizmash patogjenë të prodhuar nga industria dhe familjet private”.

Frutat e patates që rriten në tokë.

Shteti amerikan, Maine, e ndaloi gjithashtu këtë praktikë në prill të vitit 2022, pasi autoritetet mjedisore gjetën nivele të larta PFAS në tokën bujqësore, prodhimet ushqimore dhe në ujë. Nivele të larta të PFAS-it u zbuluan edhe në gjakun e fermerëve. Ndotja e përhapur gjerësisht detyroi disa ferma të mbylleshin.

Ligji i ri i shtetit Maine ndalon aplikimin, shitjen dhe shpërndarjen e plehut që përmban llum të ujërave të zeza, por nuk e ndalon eksportimin e tij.

Por, një ndalim i plotë i përdorimit të llumit të ujërave të zeza si pleh nuk është domosdo zgjidhja më e mirë, thotë Wilson nga Universiteti i Cardiff-it. Në vend të kësaj, një gjë e tillë mund të nxisë fermerët të përdorin më shumë plehra azotike sintetike, të bëra nga gazi natyror, thotë ajo.

“[Me llumrat e ujërave të zeza], ne po përdorim një mbetje në një mënyrë efikase në vend që të prodhojmë plehra të pafund të karburantit fosil”, thotë Wilson. Mbetjet organike në llum gjithashtu ndihmojnë në rikthimin e karbonit në tokë dhe e pasurojnë atë me lëndë ushqyese si fosfori dhe azoti, i cili parandalon degradimin e tokës, thotë ajo.

“Ne duhet të përcaktojmë sasinë e mikroplastikës në llumrat e ujërave të zeza në mënyrë që të mund të [përcaktojmë] se ku janë pikat e nxehta dhe të fillojmë ta menaxhojmë atë”, thotë Wilson. Në vendet me nivele të larta të mikroplastikës, llumi i ujërave të zeza mund të digjet për të gjeneruar energji në vend që të përdoret si pleh, sugjeron ajo.

Një mënyrë për të parandaluar ndotjen e tokës bujqësore është rikuperimi i yndyrave dhe vajit (të cilat përmbajnë nivele të larta mikroplastike) në impiantet e trajtimit të ujërave të zeza dhe përdorimi i këtij “llumi sipërfaqësor” si biokarburant, në vend që të përzihet me llum të ujërave të zeza, thonë Wilson dhe kolegët e saj.

Disa vende evropiane, si Italia dhe Greqia, hedhin llumrat e ujërave të zeza në vendgrumbullime të caktuara. Por, studiuesit paralajmërojnë se ekziston rreziku i rrjedhjes së mikroplastikës në mjedis nga këto vende dhe kështu mund të ndotet toka dhe ujërat përreth.

Kultura e karotës, fruti i së cilës rritet në tokë.

Wilson dhe Danopoulos thonë se nevojiten shumë më tepër studime për të përcaktuar sasinë e mikroplastikës në tokën bujqësore dhe ndikimet e mundshme mjedisore dhe shëndetësore.

“Mikroplastika tani është në prag të kalimit nga një kontaminues në një ndotës”, thotë Danopoulos. “Një ndotës është diçka që gjendet aty ku nuk duhet të jetë.

Mikroplastika nuk duhet të jetë në ujin dhe tokën tonë. Nëse vërtetojmë [se ato kanë] efekte negative, kjo do t’i bënte ato një ndotës dhe [ne] do të duhej të sjellim legjislacion dhe rregullore për këtë”.