Zyrtarët brazilianë thonë se kanë arrestuar të paktën 200 mbështetës të ish-presidentit Jair Bolsonaro, të cilët dje sulmuan Gjykatën e Lartë, parlamentin dhe pallatin presidencial në kryeqytetin, Brasilia. Pamjet filmike në pronat e qeverisë tregojnë protestuesit duke thyer xhamat, duke u ngjitur në çati dhe duke kryer aktivitete të tjera shkatërruese. Media ndërkombëtare raportojnë se ambientet e brendshme të ndërtesave janë rrënuar.
Autoritetet braziliane thanë se synojnë të mbajnë përgjegjës protestuesit dhe do të inspektojnë objektet shtetërore për gjurmët e gishtërinjve. Presidenti i ri Lula da Silbva I dënoi ashpër protestat.
“Fashistët fanatikë bënë diçka që nuk ishte bërë kurrë në historinë e këtij vendi. Është e rëndësishme të mbani mend se të majtës në Brazil i janë torturuar njerëzit, i janë vrarë njerëzit, i janë zhdukur, por kurrë nuk keni parë dikë nga e majta të pushtojë parlamentin, Gjykatën e Lartë, Pallatin presidencial”, tha gjatë një konference me gazetarë presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva.
Presidenti brazilian tha se qeveria do të kërkojë gjithashtu të zbulojë se kush ka paguar për qindra autobusët që transportuan protestuesit në kryeqytet, Brasilia.
“Ne do të zbulojmë se cilët janë financuesit e këtyre vandalëve që erdhën në Brasilia. Ne do të gjejmë financuesit dhe të gjithë do ta paguajnë me forcën e ligjit këtë gjest të papërgjegjshëm, jodemokratik, këtë gjest vandalësh dhe fashistësh”, tha më tej presidenti i Brazilit.
Mbështetësit e ish presidentit Bolsonaros duan që ai të rikthehet në detyrë dhe kanë bërë thirrje që ushtria të bëjë grusht shteti pasi humbi zgjedhjet e fundit presidenciale.
Balsonaro u largua nga Brazili dhe nuk pranoi të merrte pjesë në ceremoninë e ndërimit të pushtetit dhe inaugurimit të Presidentit Lula de Silva. Ai aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara, në Orlando të Floridës.
Sulmi në ndërtesat e qeverisë braziliane është i ngjashëm me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së, në Uashington. Megjithatë, ndryshe nga Uashingtoni, ku ligjvënësit ishin brenda ndërtesës më 6 janar, objektet shtetërore në Brasilia, ishin kryesisht bosh.
Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Biden, dënoi përmes një postimi në Twitter, “përpjekjet për të minuar demokracinë në Brazil”, siç u shpreh ai.
Kjo ngjarje është dënuar edhe nga udhëheqës të tjerë, si presidenti i Meksikës dhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili tha se sulmi i së dieles “është sulm ndaj demokracisë që nuk duhet toleruar”.
Ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International” kanë kërkuar hetimin e sulmit që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe një gjë e tillë të mos përsëritet më./