“Ndotja”, seanca e jashtëzakonshme peng e nënshkrimeve dhe mendimit të Arsovskës

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit kundër ndotjes, pret një kërkesë të kompletuar me nënshkrimet e më së paku një të tretës së anëtarëve të këshillit si dhe mendim nga kryetarja e Qytetit të Shkupit. Kryetari i Këshillit të Qytetit, Trajko Sllaveski tha se kërkesa e LSDM-së përmban vetëm 14 nënshkrime, ndërsa akoma nuk ka mendim nga Danella Arsovska.

Marketing

“Kërkesa nuk është e kompletuar për fat të keq …Nëse këto dy kushte plotësohen që të kemi së paku 15-16 këshilltarë dhe të marrim mendim nga kryetari, do të caktonim seancën e jashtëzakonshme, nëse vjen një caktim të tillë kjo do të ishte në fillim të javës së ardhshme, pasi jam i informuar se kryetarja Arsovska shfrytëzon pushim mjekësor këto ditë, ndërsa ajo do të duhet të marrë pjesë në seancë”, deklaroi Trajko Sllaveski, kryetar i Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Këshilltarët e LSDM-së, të cilët kërkuan seancë të jashtëzakonshme kundër ndotjes, i bënë thirrje kolegëve nga radhët e OBRM-PDUKM-së dhe Arsovskës të pranojnë masat e propozuara për zbutjen e situatës.

“Ndotja enorme është problem për të gjithë banorët e Shkupit dhe miratimi I masave për uljen e ndotjes duhet të jetë prioriteti kryesor për pushtetin e Qytetit. OBRM-PDUKM-ja, E majta dhe Danella Arsovska të mos bëjnë inat, por menjëherë të ndërmarrin masat për uljen e ndotjes së ajrit. Kur bëhet fjalë për shëndetin, nuk duhet të ketë hapësirë për politika ditore”, u shpreh Renata Jajoska, këshilltare e LSDM-së në Qytetin e Shkupit.

Nga OBRM-PDUKM theksojnë se ajo që e kërkon LSDM-ja është punë e Arsovskës, ndërsa masat e propozuara i quan populizëm.

“Dhe derisa LSD bën politikë, qytetarët e Shkupit po mbyten, ndërsa BDI, E Majta dhe LSD i mbushin xhepat”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Kërkesat e LSDM-së kanë të bëjnë me shtimin e menjëhershëm të numrit të autobusëve në të gjitha linjat e transportit publik. Transport falas për të gjithë qytetarët në Shkup. Ridestimi të menjëhershëm të parave për t’u përballur me ndotjen e ajrit. Ndihmë financiare për shkollat për adaptim të sistemit për ngrohje në forma ekologjike. Përgatitje të një plani për pastrimin e të gjitha deponive në Shkup. Pastrim dhe larje me cisterna të rrugëve. Veprim të pakushtëzuar dhe intensiv i inspektorëve në kryerjen e detyrës së tyre. /Alsat