Terapia moderne apo ilaçi “Trikafta” do të prokurohet fillimisht për tetë pacientë me fibrozë cistike që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, bëri të ditur ministri i shëndetësisë, Bekim Sali pas takimit koordinues në ministrinë e financave. Shpresohet që deri në fund të vitit këtë ilaç ta marrin 30 pacientë. Prokurimi do të fillojë pasi të bëhen ndryshimet ligjore në mënyrë që ilaçi të mund të blihet direkt nga prodhuesi. Megjithatë, Sali nuk mund të thotë se kur do të arrijë trikafti në vend dhe as me çfarë çmimi do të blihet.
“Shkojmë sipas urgjencës së gjendjes së këtyre pacientëve. Tani për tani janë tetë pacientë në formë më të rëndë, për të cilët është iniciuar ky ilaç, por kemi konstatuar se 22 pacientë të tjerë janë në atë fazë të gjendjes mesatare të rëndë. Ne jemi duke iniciuar paketën fillestare për 30 pacientë dhe më pas duke shfrytëzuar këtë mundësi për negociata të drejtpërdrejta, për mundësinë e uljes së çmimit të ilaçit nga prodhuesi, shpresoj që ky numër të rritet me kalimin e kohës.”, – deklaroi ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
Ministri i Shëndetësisë thotë se nuk mund të firmosë një garanci me shkrim se do ta marrin ilaçin siç e kërkojnë pacientët me fibrozë cistike. Ministri i Financave, jep garanca se ilaçi do të prokurohet.
“Do të zbatohet ajo për të cilën jemi duke ju njoftuar sot dhe se cili është qëndrimi i Qeverisë. Pra, kjo është garanca më e madhe që ne do ta zgjidhim këtë çështje, se jemi persona me përgjegjësi publike dhe mbajmë poste publike.”, – theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.
Nga Shoqata e Fibrozës Cistike nuk heqin dorë nga protesta e paralajmëruar për të shtunën.
“Kur të marrin vendimin e radhës, duhet të marrin një kashtë dhe të marrin frymë, për të kuptuar urgjencën e situatës sonë dhe shpresoj që në atë rast të marrin një vendim shumë më të shpejtë dhe të mos humbasë asnjë jetë.”, – u shpreh Ivana Atanasovska nga Shoqata e Fibrozës Cistike.
Në vendet fqinje, ilaçi “Trikafta” është në dispozicion të pacientëve dhe ata kanë një jetë normale. Në vend ka rreth 130 pacientë që kanë fibrozë cistike.