Osmani: OSBE jep mbështetje serioze kundër antisemitizmit përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme

Kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani sot në Shkup hapi konferencën e parë të organizuar në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, kushtuar ballafaqimit me antisemitizmin. Bëhet fjalë për tubim tradicional të vendeve pjesëmarrëse të Organizatës, ekspertëve të njohur dhe organizatave të shoqërisë civile, e cila mbahet me qëllim të përcaktimit të një agjende të përbashkët për rinovimin e përkushtimit të OSBE-së për tolerancë dhe mosdiskriminim.

Marketing

Në fjalën e tij, Osmani shprehu shqetësim serioz për rritjen alarmante të antisemitizmit, i pranishëm në rajonin e OSBE-së dhe më gjerë.

“Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë se bota nuk i ka mësuar deri në fund mësimet historike të Holokaustit. Sot jemi në kulmin e agresionit ushtarak në tokën e Evropiane. Pasojat për shumë gjenerata do të jenë të rënda dhe do të lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtimet e tyre. Konflikti gjithmonë krijon hapësirë ​​për urrejtje të re. Mohimi i njëri-tjetrit, aktet e dhunës dhe nxitja e urrejtjes krijojnë hapësirë ​​dhe kushte për forma të tjera të jotolerancës dhe diskriminimit”, tha Osmani.

Ministri Osmani theksoi se mostoleranca, mosrespektimi, fyerjet lidhur me përkatësinë fetare, vetëvendosja personale e secilit individ janë dukuri që e komplikojnë edhe më shumë situatën në rajonin e OSBE-së.

“Rritja e antisemitizmit minon drejtpërdrejt strukturën dhe angazhimet që përbëjnë themelet e OSBE-së, si dhe një nga prioritetet e kryesimit tonë, që ka të bëjë me tolerancën dhe mosdiskriminimin. Për këtë arsye, vendet pjesëmarrëse të OSBE-së duhet të mbështesin fuqishëm aktivitetet aktuale dhe të ardhshme të Organizatës, në trajtimin e urrejtjes ndaj popullatës hebreje, por edhe ndaj gjithë të tjerëve në përgjithsi”, theksoi Osmani.

Duke folur për kontekstin në Maqedoninë e Veriut, Osmani tha se antisemitizmi është kryesisht reaktiv, përveç komenteve të rastësishme, individuale në rrjetet sociale apo media të tjera të izoluara. Ai vuri si shembull pozitiv përvojën e vendit tonë të bazuar në tolerancën dhe respektin reciprok.

“Përvoja e fituar me vështirësi e Maqedonisë së Veriut në krijimin e një shoqërie funksionale multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, e bazuar në tolerancë dhe respekt të ndërsjellë, është kontributi dhe shembulli ynë për krijimin e shoqërive rezistueshme, në aspektin e të gjitha formave të diskriminimit. Në kuadër të kryesimit dhe personalisht si kryesues i OSBE-së, ne ua ofrojmë këtë model të gjithë atyre në rajonin e OSBE-së që kanë vullnet politik për ta zbatuar atë tek vetja”, theksoi Osmani.

Në konferencën dyditore, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dënimit të gjuhës së urrejtjes, edukimit të të rinjve për të drejtat e njeriut, si dhe ndërgjegjësimit të publikut të gjerë për çështjet që lidhen me Holokaustin, manifestimet e tij digjitale dhe forma të tjera. Aktivitetet e planifikuara synojnë të dërgojnë një mesazh se të bashkuar në diversitet është e vetmja rrugë e sigurt drejt stabilitetit afatgjatë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Osmani kujtoi edhe antisemitizmin në narrativat historike të vendit, veçanërisht historinë e Luftës së Dytë Botërore dhe vrasjen e 7144 hebrenjve maqedonas në kampin Treblinka, duke iu referuar historisë së përbashkët mes maqedonasve dhe hebrenjve dhe lidhjes së fortë historike. Ai shtoi gjithashtu se lidershipi në Maqedoninë e Veriut përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me shtetin e Izraelit dhe me komunitetin hebre, e cila dëshmohet edhe nga Deklarata e Kuvendit të 5 viteve më parë.

Kryesuesi i OSBE-së Osmani gjatë fjalës së tij para të pranishmëve në konferencë përmendi edhe shtrembërimin e Holokaustit dhe teoritë fyese antisemitike që sipas tij janë përdorur nga burime propagandistike për të nxitur dhe justifikuar agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës.

Përndryshe fjalim në sesionin hyrës të konferencës për përballje me antisemitizmit kishin edhe drejtori i ODIHR-it Matteo Mekaçi, përfaqësuesi special i OSBE-së, senatori Ben Kardin, komisioneri i lartë për pakicat kombëtare Kairat Abdakhmanov, përfaqësuesja speciale për lirinë e mediave Teresa Ribeiro, përfaqësuesja personale e kryesuesit të OSBE-së për antisemitizëm, Rabini Endru Bejker dhe Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi, Fatmir Gjeka.