Nebi Muçaj, drejtor i qendrës vullnetare i emergjencave civile, si dhe mjeku turk që punon nê Shqipëri Taner Akdamar, kanë qenë pjesë e ekipeve në ndihmë të personave të prekur nga tërmeti i fortë që goditi Turqinë.
Në një rrëfim për News 24, ata kanë ndarë përvojën e tyre në një situatë të ngarkuar edhe emocionalisht, ku qëllimi kryesor ishte shpëtimi i sa më shumë jetëve.
“Ekipi shqiptar qëndroi në qytetin Malatya, ku janë shembur 284 ndërtesa, minimumi 8 katëshe. Ditën e tretë nga tërmeti, kemi ndihmuar një djalë duke e nxjerrë nga rrënoja. Më shumë na ndihmuan kamerat termale dhe qentë e kërkimit. Dëgjuam një zë… Djali u shpëtua mirë, ndihmën e parë ia kemi dhënë ne”, tregoi mjeku.
Muçaj tregon se kanë ndihmuar dhe kanë nxjerrë të gjallë njerëz nga rrënojat, por sipas tij, për fat të keq, në këtë zonë numri i viktimave ka qenë shumë i lartë.
“Të gjitha forcat që operonin nën rrënoja, shpresa dhe ajo që i shtynte të punonin sa më shpejt, ishte se ndoshta poshtë rrënojave do të kishte një jetë njeriu. Emocionet, stresi, pjesa e familjarëve që prisnin që nga rrënojat të nxirreshin të gjallë anëtarët e tjerë. Në një tragjedi, një shpresë e vogël të ngjallte plot emocione, kur dilte një jetë njeriu, ishin lot gëzimi në atë trishtim, por fatkeqësisht aty ku ishim ne nuk pati shumë të mbijetuar, por shumë viktima. Ka qenë një punë shumë intensive, me një temperaturë shumë të ulët. Fatkeqësisht ishte një hotel ku pati shumë viktima nën rrënoja”, tha Muçaj.
Mjeku turk, pohoi se një element që e shtonte vështirësinë ishin edhe temperaturat e larta.
“Ne deri në fund kemi shpresë, por normalisht që të gjitha autoritetet, ditën e katërt dhe ditën e pestë humbën shpresat, sepse ishte problem dhe për temperaturat shumë të ulëta. Në mbrëmje shkonin -15 gradë, dhe në mëngjes shkonte deri në -25 gradë. Ne deri ditën e katërt kemi punuar duke larguar rrënojat me dorë, kemi këput beton me dorë. Më pas kemi operuar me ekskavator”, tregoi mjeku .