Raportimet për bomba të vendosura në shkolla vazhduan edhe sot. Mëngjesin e sotëm deri në orën 09:30 në MPB është raportuar se në adresat elektronike të 14 shkollave në Shkup kanë mbërritur kërcënime për bomba të vendosura.
“Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga punonjësit e policisë janë marrë masat për evakuimin e sigurt të objekteve dhe po kryhen kontrollet antiterror dhe po merren masa për zbardhjen e rasteve”, thonë nga MPB.
Ndërkohë, dje kishte një numër rekord të denoncimeve për bomba në shkolla. Gjithsej ishin në 86 shkolla, një çerdhe, Instituti i Rehabilitimit në Shkup, si dhe në një shkollë në Prilep. Por pas kontrolleve u konstatua se të gjitha ishin alarme të rreme.