Kovaçevski: Maqedonia siguron prodhim të pavarur të energjisë, po bëhemi qendër energjetike

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetje të deputetëve, theksoi se edhe këtë vit vendi po vazhdon transformimin e suksesshëm drejt energjisë së gjelbër, duke vazhduar me investimet në termocentrale për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme. Këto investime duhet t’i sigurojnë Republikës së Maqedonisë së Veriut prodhim më të madh të energjisë elektrike dhe pavarësi energjetike të vendit.

Marketing

“Vetëm në vitin 2022 janë ndërtuar dhe elektrocentrale dhe prodhojnë energji elektrike me mundësinë prej 152 megavat kapacitet të instaluar që prodhojnë energji elektrike nga burime të ripërtërishme. Vitin e kaluar Komisioni Rregullator i Energjetikës ka dhënë 267 leje për prodhimin e energjisë elektrike të gjelbër. Këto investime kanë një kontribut të rëndësishëm në transformimin dhe pavarësinë energjetike.

Këto termocentrale të reja që prodhojnë energji elektrike nga dielli, era, uji dhe biogazi, të cilat janë ndërtuar në një vit, janë të barabarta me kapacitetet energjetike që janë ndërtuar prej vitesh, si HEC Kozjak, HEC Sveti Petka dhe parku i erës Bogdanci. Ajo që është bërë prej vitesh, tashmë bëhet në vetëm një vit. Me fuqinë e instaluar të këtyre 152 megavatëve, vetëm në vitin 2022 mund të plotësohen nevojat e 65.700 amvisërive me konsum mesatar të energjisë elektrike. Gjegjësisht, nevojat e amvisërive nga gjashtë qytete të vendit mund të plotësohen nga këto kapacitete nga burime të ripërtëritshme, si Ohri, Tetova, Kratova, Krusheva, Kriva Pallanka dhe Sveti Nikolla. Kapaciteti, i krijuar, i investuar dhe i vendosur në rrjet vetëm në vitin 2022”, tha kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se me ndryshimet në Ligjin për ndërtim u thjeshtuan procedurat për ngritjen e termocentraleve fotovoltaike, të cilat më parë kanë zgjatur me muaj dhe që përbënin pengesën më të madhe për instalimin e termocentraleve fotovoltaike për amvisëritë.

“Investitorët tashmë janë të detyruar vetëm të njoftojnë Komunën dhe të dorëzojnë dokumentet e nevojshme me projektin bazë për termocentralin, të cilën e bën një kompani e autorizuar. Për personat juridikë do të kërkohet ekstrakt nga regjistri qendror dhe për personat fizik kopje e letërnjoftimit, më pas titulli i pronës së objektit në të cilin është vendosur dhe projekti bazë për ekzekutimin e termocentralit në të cilën duan të investojnë. Inspektorët komunal do të kontrollojnë nëse janë instaluar fotovoltaikë siç është paraparë me projektin”, tha Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se në fillim të vitit 2022, kompanitë maqedonase kanë interes të madh për të investuar në termocentrale fotovoltaike. Në vitin 2019, për krahasim, ishin 35 termocentrale të reja diellore me fuqi prej 5.8 megavat, në vitin 2020 ishin instaluar 29 termocentrale me fuqi prej 7 megavat, ndërsa në vitin 2021 ishin 48 termocentrale me fuqi prej 14 megavat. .

Interesimi më i madh është për prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet fotovoltaike, pastaj për termocentralet e biogazit, si dhe për termocentralet që prodhojnë energji elektrike nga uji. Do të thotë, të gjitha nga burimet e ripërtërishme të energjisë.“Gjatë periudhës kur energjia elektrike ishte më e shtrenjta, për shkak të fotovoltaikëve ne kishim energji elektrike që në fund rezultoi të kemi rrymën më të lirë në rajon”, tha Kovaçevski.

Po rrisim prodhimin vendor të ushqimit, duhani historikisht ka çmimin më të lartë të blerjes, jemi lider në shfrytëzimin e IPARD-it

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në seancën për pyetje të deputetëve në Kuvend, theksoi përfitimet konkrete të masave të marra në fushën e bujqësisë, veçanërisht në kushtet e krizës ekonomike botërore dhe kërkesa për ushqime dhe kumtoi se bujqësia është një nga prioritetet kryesore në politikat qeveritare.

“Përmes Programit për pagesa të drejtpërdrejta janë paguar 6,5 miliardë denarë ose 105 milionë euro për 80.000 shfrytëzues të subvencioneve për prodhimtarinë bimore dhe blegtorale. Për herë të parë miratuam Planin nacional të prodhimit të ushqimit dhe Programin intervenues për të mbështetur çdo bujk dhe investuam 900 milionë denarë intervente, me çka u zbut situata e krizës në disa sektorë të bujqësisë. Nëpërmjet këtij Programi të ri, prodhuesit e kulturave strategjike të drithërave morën mbështetje, duke subvencionuar blerjen e plehut artificial prej 40%, duke pasur parasysh rritjen e çmimit të plehrave artificiale për shkak të luftës që po zhvillohet në Ukrainë, masë që u përdor nga mbi 10.000 bujq. Prodhuesit e qumështit morën edhe subvencion shtesë”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Si masa shtesë për stimulimin e prodhimit vendor të ushqimit dhe bujqve, Kryeministri theksoi se mbi 14,000 hektarë tokë bujqësore janë vënë në dispozicion për prodhimin e drithërave, prodhimin e foragjereve dhe për ngritjen e plantacioneve afatgjata dhe suksesi më i madh është arritur te prodhimi i lulediellit.

“Kemi arritur ta dyfishojmë atë përmes konceptit të prodhimit të dakorduar, me të cilin prodhimi i lulediellit ka përfunduar në industrinë e përpunimit vendor, në objektet që prodhojnë produkte ushqimore bazë. Nevojat për elbin plotësohen nga prodhimi vendor, në vend të importit si tre vjet më parë. Tani jemi duke regjistruar eksporte të elbit – nga një vend që deri para tre vitesh importonte elb. Rritëm edhe prodhimin e grurit, i cili këtë vit arriti çmimin e lartë të blerjes prej 18 denarë për kilogram”, shtoi Kryeministri Kovaçevski.

“Gjatë krizës kemi arritur të stabilizojmë dhe të rrisim prodhimin vendор të ushqimit. Në vitin 2022, përkundër krizës, prodhimi bujqësor do të ketë rritje si në sasi ashtu edhe në çmim”, konstatoi Kryeministri Kovaçevski.

Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, posaçërisht e theksoi modelin e ri të subvencionimit të bujqve, i cili do të fillojë të aplikohet këtë vit, si zgjidhje sistematike.

“Viti 2023 do të jetë vit i mundësive të reja për përmirësimin e prodhimit bujqësor. Më shumë se 7 miliardë denarë janë siguruar për subvencione dhe këto janë mjete rekord që do të mundësojnë rritjen e prodhimit vendor, me fokus bujqit e vërtetë. Mbështetja është dedikuar për të gjitha kulturat e rëndësishme dhe për zhvillimin e blegtorisë. Modeli i ri i subvencionimit është pjesë e një reforme të madhe në bujqësi, me të cilën ne ofrojmë një model subvencioni më të shpejtë, më efektiv dhe efikas, i cili do të rrisë prodhimin vendor të ushqimit, me një subvencion bazë për të gjithë bujqit dhe një subvencion shtesë për ata që kultivojnë kultura të rëndësishme dhe të cilët e shesin prodhimin e tyre në qendrat blerëse të regjistruara ose e përdorin për prodhim në objektet e tyre. Ajo që është më e rëndësishme për modelin e ri është se do të stimulohet prodhimi i vërtetë bujqësor, të cilin fermerët do të duhet ta dëshmojnë përmes rendimentit të arritur. Përveç pagesës më të shpejtë, modeli i ri parasheh kontroll më të madh dhe reduktim të ekonomisë gri në këtë sektor”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.

Ai tha se këtë vit 2023 kemi buxhetin më të madh bujqësor deri më tani, në vlerë prej rreth 12 miliardë denarë, i cili është i vendosur në pesë shtylla kyçe: reforma në bujqësi dhe modeli i ri i subvencionimit, fokus në prodhuesit e vegjël, investime kapitale për menaxhimin e ujit, tranzicioni i gjelbër dhe modernizim i prodhimit bujqësor, që do të thotë mbi 200 milionë euro për bujqit.

Veçanërisht u përmend rekolta e shkëlqyer e duhanit.

“Së bashku me prodhuesit e duhanit po shkruajmë histori me çmimin mesatar të blerjes prej 290 denarë për kilogram, që paraqet rritje prej më shumë se 40 për qind në krahasim me çmimin e blerjes së vitit të kaluar. Këtij çmimi, kur i shtojmë 80 denarë për subvencione nga shteti, arrijmë në çmim të lartë rekord prej 370 denarë për kilogram, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në vend dhe në vitin më në krizë. Edhe këtë vit është çmimi më i lartë i blerjes së duhanit në historinë e vendit tonë”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri paralajmëroi më shumë investime në bujqësi dhe në veçanti vuri në dukje rezultatet e programit IPARD.

“Shfrytëzimi total i fondeve për IPARD 2 është një rekord prej 98% dhe realizimi i mbi 2000 kontratave në vitin 2022. Për këtë arsye jemi shpallur vendi lider në rajon për shfrytëzimin e fondeve IPARD. Për Programin e ri IPARD 3, Komisioni Evropian rriti fondet për 62 për qind dhe nëse kishim 60 milionë euro në dispozicion për IPARD 2, kemi 97 milionë euro në dispozicion për IPARD 3. IPARD 3 është program për një modernizim të ri të bujqësisë maqedonase. Do të akreditohen katër masa shtesë për mbështetjen e bujqve: investimet në infrastrukturën publike rurale, masa LIDER, të destinuara për financimin e aktiviteteve dhe projekteve që do të zbatohen përmes Grupeve lokale të veprimit, për prodhimin organik dhe një masë për shërbimet këshillimore me qëllim të avancimit, njohurive, por edhe cilësinë e prodhimit të bujqve tanë”, theksoi kryeministri Kovaçevski në seancën për pyetje të deputetëve në Kuvend.