Osmani përmes bisedës telefonike ka dërguar mesazhe ngushëllimi drejtuar Dendias dhe Greqisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me rastin e aksidentit tragjik hekurudhor të ndodhur mbrëmë pranë qytetit të Larisës së Greqisë, ka zhvilluar bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Marketing

Në bisedën me ministrin Dendias, Osmani shprehu keqardhjen për humbjen e madhe të mbi 30 udhëtarëve, si dhe numrin e madh të qytetarëve të lënduar. Përmes ministrit Dendias, Osmani dërgoi edhe mesazhe ngushëllimi për familjet dhe të afërmit e të vdekurve, si dhe shpresë për shërim të shpejtë të të lënduarve.

Osmani e informoi kolegun e tij se Republika e Maqedonisë së Veriut, si fqinj i afërt, është e gatshme të vërë në dispozicion kapacitetet e saj dhe të ofrojë ndihmë në përballimin e pasojave të aksidentit të rëndë hekurudhor, aty ku autoritetet greke e konsiderojnë të nevojshme.