Grubi: Veting, për pasurinë e politikanëve

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ka ngritur sërish çështjen e vetingut të plotë të politikanëve, gjykatësve dhe prokurorëve. Duke komentuar mosbesimin në gjyqësor, por edhe shtrirjen e korrupsionit në vend Grubi në Forumin ekonomik në Shkup, tha se duhet të hulumtohet origjina e pronave të funksionarëve publik që nga viti 1991.

Marketing

“Nga viti 1991 të kontrollohen të ardhurat që kanë pasur, të shihen pronat që i kanë tani, a përputhen me të ardhurat që i kanë pasur prej vitit 1991 deri më sot, e kam fjalën për gjykatës, prokurorë dhe politikan. Të kontrollohet në të gjitha institucionet, qoftë në drejtorinë e të ardhurave publike, kadastër, polici financiare, prokurori, të gjitha institucionet të kontrollojnë secilin anëtarë të jetës publike në shtetin tonë.”, – deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.

Grubi tha se BDI ka dorëzuar në kuvend edhe propozim-ligjin për veting, por u bllokua nga partitë tjera politike. Ai ka sqaruar se propozimi parasheh formimin e një komisioni 5 anëtarësh që do ta bënte punën që nuk e bën Komisioni shtetërorë kundër korrupsionit, pasi ky komision kontrollon pas zgjedhjes dhe emërimit, ndërsa kontrolli duhet të bëhet para kandidimit apo emërimit që qytetarët të jenë të informuar në kohë, tha Grubi.

“Qytetarët sot nuk besojnë te asnjë institucion as te gjykata, as te prokuroria, as te qeveria, kuvendi, presidenti, as te opozita apo te partitë politike, pasi mënyra se si po përballemi me çështjet e hapura nuk është e mirë.”, – u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.

Edhe sa u përket akuzave të VMRO-DPMNE-së ndaj tij Grubi tha se e ka ftuar edhe prokurorinë që të hetojë gjithçka dhe siç tha ai meqë partia opozitare nuk ka dorëzuar asgjë te organet e drejtësisë, prandaj ai është paraqitur vet edhe në prokurori edhe në Komisionin kundër korrupsionit që ato institucione të kontrollojnë gjithçka që ka të bëjë me akuzat e opozitës