Kurti: Vuçiqi mbrëmë e shkeli nenin 4 të propozimit të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se mbrëmë e ka shkelur nenin 4 të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marketing

Sipas Kurtit, Vuçiqi e ka shkelur propozimin e BE-së duke u zotuar se do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njofton Klan Kosova.

“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të nenit 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”, tha Kurti në një postim në Twitter.

Kujtojmë se më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiqi janë pajtuar në Bruksel që të mos ketë diskutime shtesë në lidhje me propozimin e BE-së. Megjithatë, ata nuk i kanë vendosur nënshkrimet në draft-dokumentin e BE-së për normalizim marrëdhëniesh.