Korridori 8: Aq sa është ndërtuar për 32 vjet, do të ndërtohet për 4 vjet

Më 22 prill të këtij viti, pritet që të fillojë realizimi i korridorit tetë dhe dhjetë. Edhe pse korridori do të ketë katër segmente rrugore, më 22 prill do të fillojnë të ndërtohen tre segmente rrugore edhe atë, Gostivar-Bojkoçan, Tetovë-Gostivar dhe Prilep-Manastir. Segmenti i katërt që është Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, do të fillojë të ndërtohet në muajin dhjetor. Kështu thotë për gazetën KOHA, Ejup Rustemi, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”. Vonesa për aksin rrugor Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë është se do të bëhen analiza që të shkurtohet rruga për në Tiranë. “Ky segment rrugor i autostradës do të vonohet për arsye sepse jemi në biseda permanente me institucionet e Shqipërisë, për të gjetur një pikë tjetër të përbashkët, pasi që jemi në bisedime dhe e kemi nënshkruar marrëveshjen, do të fillojnë hulumtimet e terrenit, sepse ka një mundësi që të zvogëlohet gjatësia e rrugës për në Tiranë për 17 kilometra, prandaj këtë segment e kemi lënë që ta fillojmë më 13 dhjetor”, deklaroi Ejup Rustemi, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore“.

Marketing

Punimet në bazë të marrëveshjes duhet të zgjasin për katër vite e 7 muaj, ose rreth 110 kilometra autostradë, duhet të përfundojnë në dhjetor të vitit 2027. Por, duke patur parasysh se deri më tani, në Maqedoni është ndërtuar me një dinamikë të ngadalësuar sa i përket infrastrukturës rrugore, drejtoi Rustemi thotë se garancë është kompania amerikano-turke Bektel Enka, e cila ka kryer shumë akse rrugore në tërë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

“Në bazë të analizave dhe hulumtimeve që ka bërë fakulteti i ndërtimtarisë për 32 vite në Maqedoninë e Veriut janë ndërtuar 136 kilometra autostradë dhe nëse e marrim mesataren, del se në vit është ndërtuar 5.8 kilometra autostradë. Me këtë marrëveshje, ne për katër vite do të ndërtojmë 108.8 kilometra autostradë, që do të thotë se në vit do të ndërtohen 28 kilometra rrugë. Ne jemi të bindur se kjo do të bëhet, sepse kompania Bektel Enka, do të projektojë dhe do të ndërtojë, pra nuk është si më parë, kur është punuar në bazë të projektit dhe më pas ka patur probleme që kanë dal në teren, ka patur zvarritje të punëve e kështu me radhë. Jemi të bindur se do të kemi rrugë të sigurta, rrugë të shpejta sipas standardeve ndërkombëtare. Për këtë vit janë ndarë 244 milionë euro dhe në bazë të planit financiar që e kemi projektuar çdo vit do të realizojmë nga 250 milionë euro”, theksoi Rustemi.

Në realizimin e këtij korridori, sipas marrëveshjes do të duhet që 51 për qind e kompanive që do të jenë të përfshira të jenë kompani vendase. Pritet që në të ardhmen ndërtimi i korridorit do të sjellë rritjen e bruto prodhimit vendor për 1 për qind. Në ndërkohë, sipas paralajmërimeve të deritanishme, autostrada Tetovë-Gostivar do të jenë me tre korsi vetëm në njërën anë dhe pritet që të njëherë e përgjithmonë të rregullohet infrastruktura në Maqedoninë Perëndimore. Autostrada Tetovë-Gostivar është lënë në harresë dhe viteve të fundit ka shumë dëmtime për shkak të mosmirëmbajtjes si duhet. Autoritetet e vendit, disa herë kanë paralajmëruar rregullimin e së njëjtës por në teren nuk është punuar aspak. Sipas informacioneve, do të ndërtohet trase e re nga Gostivari për në Kërçovë dhe do të shmanget rruga e vështirë përmes Strazhës. (koha.mk)