Nënat ruse mesazh Putinit: Mos na i ço burrat në thertore

Që nga fillimi i luftës, Rusia ka bombarduar më shumë se 40 mijë herë Ukrainën. Raketat dhe sulmet kanë shkatërruar 152 mijë ndërtesa banimi, ndërsa procedimet penale nga shkurti i kaluar janë 66 mijë e 300.

Marketing

Është ky bilanci i prezantuar nga autoritetet e Kievit, që saktëson se vetëm gjatë orëve të fundit janë vrarë mbi 1 mijë ushtarë rusë, duke e çuar shifrën totale në mbi 159 mijë trupa pushtuese të eliminuara.

Udhëheqësit e Ukrainës zotohen të vijojnë rezistencën, ndërsa shtojnë presionin ndaj perëndimit për dorëzimin sa më shpejt të jetë e mundur të armëve dhe municioneve të premtuara.

Pavarësisht kësaj, ministri i jashtëm, Dmytro Kuleba, konfirmoi se trupat e Kievit nuk do të tërhiqen nga beteja për Bakhmutin, pasi dorëzimi do t’i hapte rrugën Rusisë që të pushtojë me të njëjtën mënyrë edhe qytete të tjera.

Madje ka raportime në mediat ndërkombëtare, që ukrainasit po përgatiten për një kundërofensivë në qytetin e shkrumbuar nga luftimet e përgjakshme. Sakaq, ushtria ruse nuk i ka ndaluar bombardimet. Shpërthime janë dëgjuar në Mikolaiv, por edhe në Zaporizhia ku raportohet të jetë dëmtuar një impiant industrial dhe një gazsjellës.

Në anën tjetër, presioni publik ndaj udhëheqësve në Moskë sa vjen e shtohet. Një grup grash dhe nënash në Rusi i bën apel presidentit Vladimir Putin që të ndalojë së dërguari burrat dhe djemtë e tyre në kasaphanë, duke iu referuar kështu angazhimit të tyre në luftë pa stërvitjet apo pajisjet e duhura.