Në UT u promovuan pesë vepra shkencore të Prof. Dr. Faton Shabanit

Në Universitetin e Tetovës u promovuan pesë vepra shkencore nga fusha e drejtësisë të autorit Prof. Dr. Faton Shabani. E drejta afariste; Falimentimi; E drejta afariste ndërkombëtare; Zgjidhja jashtëgjyqësore e kontesteve dhe Pasojat juridike nga mospërmbushja e kontratës për shitjen ndërkombëtare të mallrave, janë titujt e pesë veprave të cilat janë produkt i punës shumëvjeçare të autorit dhe i veprimtarisë së tij hulumtuese-shkencore ndër vite.
Në emër të Universitetit të Tetovës, të pranishmëve me fjalë përshëndetëse iu drejtua dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Ai tha se, titujt e publikimeve kanë të bëjnë me studime nga sfera e drejtësisë në lëmin e së drejtës civile dhe autori guximshëm ka shqyrtuar tematika të cilat vërtet paraqesin mangësi në kuadër të literaturës së tërësishme nga kjo sferë. “Në botimet përkatëse shtjellohen situatat e krijuara nga mospërmbushja apo përmbushja e parregullt e detyrimeve kontraktuese nga njëra apo të dyja palët kontraktuese në kontratën për shitjen e mallrave me karakter ndërkombëtar. Mjetet juridike konsiderohen thelbi i së drejtës kontraktuese, mungesa e të cilave pamundëson të pasurit e një të drejte kontraktuese efikase kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë: të drejtën për të kërkuar përmbushje, të drejtën për përmirësim të përmbushjes, për zvogëlim të çmimit, për shkëputje të kontratës dhe të drejtën për kompensim të dëmit”, theksoi Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Recensentja e librit “E Drejta afariste ndërkombëtare”, Prof. Dr. Heidi Frostestad Kuehl nga Kolegji i Drejtësisë nga Universiteti i Illinoisit Verior, SHBA, në pamundësi për të qenë e pranishme në këtë ngjarje, përmes një telegrami shprehu vlerësimet e saj rreth librit në fjalë. “Vlerësova vërtet organizimin e shkëlqyeshëm, përmbushjen e qëllimit të librit dhe përfshirjen e plotë të temave dhe nëntemave, që shpesh janë sfida të së drejtës afariste ndërkombëtare. Libri i profesor Shabanit është thelbësor, si për kuptimin historik dhe zhvillimin e kësaj arene të transaksioneve të biznesit ndërkombëtar, po ashtu edhe për strukturën aktuale të ligjeve dhe të organizatave ndërkombëtare qeverisëse për të drejtën afariste ndërkombëtare. Teksti i tij jep detaje të rëndësishme për mbulimin shkencor të institucioneve kryesore të së drejtës afariste ndërkombëtare, si Konferenca e Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (“ICC”), UNIDROIT, UNCITRAL, BE dhe OBT, dhe më pas gjithashtu trajtohet nevoja për njësueshmëri në të drejtën ndërkombëtare të kontratave dhe shitjes së mallrave”, thuhej ndër të tjera në telegramin e Prof. Dr. Heidi Frostestad Kuehl.
Vlerësimet e tyre për librat e Prof. Dr. Faton Shabanit i paraqitën recensentët, Prof. Dr. Jadranka Daboviq nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”- Shkup dhe Prof. Dr. Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vendin tonë. Ata e vlerësuan lartë punën voluminoze të autorit Prof. Dr. Faton Shabani, i cili sipas tyre, në mënyrë shumë profesionale e ka zbatuar në përpikëri metodën shkencore, dhe ka shfrytëzuar një numër të konsiderueshëm të burimeve të huaja që kanë të bëjnë me fushat përkatëse. Profesoresha universitare, Jadranka Dabovic, tha se ndjehet krenare që autori i librave të sipërpërmendur studimet e doktoratës i ka kryer në Universitetin ku ajo punon.
Ndërkaq, Prof. Dr. Osman Kadriu u shpreh se, që nga periudha e studimeve të ciklit të parë autori Prof. Dr. Faton Shabani ka qenë studentë i dalluar, pastaj me të njëjtin përkushtim ka vijuar edhe studimet e ciklit të dytë dhe ato të cilit të tretë. Sipas tij, këto botime do të jenë një ndihmesë e madhe jo vetëm për studentët dhe komunitetin akademik, por edhe për institucionet e drejtësisë në vendin tonë dhe më gjerë.
Autori Prof. Dr. Faton Shabani tha se finalizimi i pesë librave është fryt i një pune dhe veprimtarie sistematike dhjetëvjeçare; i një studimi të gjatë dhe i një ngulmimi të shoqëruar me mund e përkushtim. “Ata që shkruajnë libra e njohin peshën e lodhjes, të trazimeve e dilemave të përhershme e sfilitëse që e shoqërojnë autorin deri në çastin e përfundimit të tyre. E njohin gjithashtu edhe pasionin e pashpjegueshëm që një autori i jep forcën dhe durimin në punën e tij hulumtuese e shkencore. Pas çdo finalizimi të një pune kërkimore, hulumtuese, studimore, shkencore, që domosdoshmërish kërkon disiplinë, durim, thellim, studim dhe metodë, jo vetëm harrohen mundimet paraprake, por lind edhe motivi i ri për projekte të reja. Librat që promovohen sot janë formësuar të shtyrë edhe nga detyrimi profesional, për t’i ofruar lexuesit përmbajtje që i mundësojnë përfitim dijesh të reja nga shkenca e drejtësisë. Pesë librat, në rend të parë, janë tekste universitare dedikuar studentëve dhe kolegëve, që janë pjesë e procesit akademik, por edhe për hulumtuesit dhe praktikuesit e drejtësisë afariste. Shtytja e përhershme për ta jetësuar këtë projekt studimor është nxitur nga motivi që kategorive të lartpërmendura dhe jo vetëm, t’u sigurohen tekste të përditësuara, të strukturuara dhe gjithëpërfshirëse në mbulimin e çështjeve juridike me interes. Qëllimi parësor i kësaj pune të prezantuar sot ka qenë që shkencës së drejtësisë t’ia japim hakun duke ia ofruar literaturën që përmban arritjet dhe gjetjet më bashkëkohore. Këtë e kemi realizuar nëpërmjet ciklit prej pesë veprave me 3200 faqe të recensuara me kompetencë nga shtatë recensentë. Tërësinë e librave e veçon qasja shumëdimensionale e trajtimit: ajo teorike, empirike, legjislative (kombëtare e ndërkombëtare), procedurale (gjyqësore e jogjyqësore), praktike, analitike – sintetike, induktive-deduktive, krahasuese dhe historike”, tha Prof. Dr. Faton Shabani.
Ai, më tutje theksoi se pjesë përbërëse e librave janë edhe dy lloje shtojcash, që synojnë të jenë mjete ndihmëse operative për zbatimin efektiv dhe efikas të legjislacionit afarist. “Libri Pasojat juridike nga mospërmbushja e kontratës për shitjen ndërkombëtare të mallrave është teza e punuar dhe e mbrojtur publikisht si doktoraturë. Ajo është përpunuar, përshtatur dhe formalizuar në aspektin metodologjik. Teksti është sistemuar në gjashtë krerë dhe me mbështetje dokumentuese në 159 libra, 31 akte juridike dhe në analizimin e 142 vendimeve gjyqësore dhe të arbitrazhit. Libri “E drejta afariste ndërkombëtare” përqendrohet në trajtimin e aktualitetit dhe të sfidave me të cilat përballet kornizimi juridik i afarizmit ndërkombëtar, por edhe te tendencat dhe vizioni drejt të cilit synon të hapërojë ky kornizim. Bartës të këtij procesi, krahas shteteve janë edhe organizmat ndërkombëtare, mes të cilave: Konferenca e Hagës për të Drejtën Private Ndërkombëtare, Organizata Botërore e Tregtisë, Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, UNIDROIT dhe UNCITRAL. Libri “Zgjidhja jashtëgjyqësore e kontesteve”, në bashkautorësi me Drita Fazliun, i shtjellon mënyrat kryesore jashtëgjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që globalisht njihet si zgjidhja alternative e kontesteve, e ndërthurur me të drejtën publike dhe atë private. Trajtimi teorik dhe normativ plotësohet me analizën e dyzet rasteve nga praktika e arbitrazhit dhe e ndërmjetësimit, përfshirë kontestin e emrit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë. E drejta afariste e paraqet nocionin që e përfshin tërësinë e ligjeve, rregullave dhe të praktikës gjyqësore e jogjyqësore, që i rregullon transaksionet ndërmjet subjekteve afariste për përfitime ekonomike. Me qëllimin që të trajtohen sa më praktikisht e hollësisht çështjet e ndërlidhura me tematikën e lartpërmendur, libri “E drejta afariste” është i ndarë në shtatë pjesë: Subjektet tregtare, Kontratat tregtare, Pronësia industriale, Veprimtaria bankare, Letrat me vlerë, Mbrojtja e konsumatorit dhe Mbrojtja e konkurrencës. Për të dhënë një pasqyrë të plotë të falimentimit dhe zbatimit të procedurës së falimentimit, libri me të njëjtin titull – Falimentimi – përmban tekstin e ndarë në pesëmbëdhjetë krerë dhe shoqërohet me dy shtojca”, theksoi mes tjerash Prof. Dr. Faton Shabani.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai shtoi se botimi i pesë librave universitarë dhe librave të tjerë që janë botuar e do të botohen në të ardhmen është pjesë e strategjisë së drejtuesve të Universitetit të Tetovës për plotësimin e literaturës së munguar universitare dedikuar studentëve tanë. “Nëpërmjet kësaj strategjie afatgjate besojmë se në vazhdimësi do të plotësohet mozaiku i librave të domosdoshëm universitarë. Si autor i librave që promovohen sot, në këtë ngjarje të veçantë për mua, e ndjej si detyrim moral dhe profesional që publikisht t’u shprehë mirënjohje personaliteteve që kontribuuan dashamirësisht këto vepra ta shohin dritën e botimit dhe ta kenë përmbajtjen që e kanë. I shpreh mirënjohje të veçantë Kryetarit të Senatit dhe ish-Rektorit të Universitetit tonë, Prof. Dr. Vullnet Ametit, i cili na përforcoi besimin dhe na ofroi mbështetjen në botimin e këtyre veprave, të zyrtarizuara dhe të përfaqësuara me stemën e Universitetit të Tetovës. U shpreh mirënjohje e falënderime për përkrahjen dhe kontributin e çmuar recensentëve, redaktorëve gjuhësorë dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të padukshëm, mendimet profesionale e të cilëve zënë vend në këto vepra”, kështu e përfundoi fjalën e tij Prof. Dr. Faton Shabani.
Në promovimin e këtyre veprave morën pjesë një numër i madh personalitetesh nga jeta akademike, drejtues institucionesh, në mesin e të cilëve Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ahmeti, Sekretari i përgjithshëm Adem Beadini, prorektorë, senatorë, dekanë, profesorë, studentë si dhe shumë mysafirë të tjerë.
Prof. Dr. Faton Shabani ka lindur më 1 janar të vitit 1986 në Tetovë. Studimet universitare dhe pasuniversitare i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës. Studimet e doktoraturës për të drejtën afariste i ka kryer në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Karrierën akademike e ka filluar në vitin 2011 në cilësinë e asistentit për lëndët nga fusha e së drejtës civile dhe tregtare, ndërsa sot në cilësinë e profesorit të asociuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës ligjëron lëndët: E drejta tregtare, E drejta e detyrimeve, E drejta kontraktore dhe E drejta tregtare ndërkombëtare. Si profesor vizitues ka ligjëruar në universitete me renome botërore, ndër ata: Universiteti i Illinoisit Verior (SHBA), Universiteti i Molises (Itali), Universiteti “Aristoteli” (Greqi), Universiteti i Mariborit (Slloveni), Universiteti “Josip Juraj Strossmayer” (Kroaci), Universiteti Perëndimor i Timisoarës (Rumani) Universiteti i Trakisë (Turqi), Universiteti i Biznesit (Lituani), Universiteti “Aleksandër Xhuvani” (Shqipëri), Universiteti “Haxhi Zeka” (Kosovë), Universiteti “Kadri Zeka” (Kosovë), Universiteti “Neofit Rilski” (Bullgari), Universiteti Ndërkombëtar i Novi Pazarit (Serbi).
Prof. Dr. Faton Shabani është autor i pesë teksteve universitare: Falimentimi (2021), E drejta afariste (2021), Zgjidhja jashtëgjyqësore e kontesteve (bashkautorësi) (2019), E drejta afariste ndërkombëtare (2018) dhe Pasojat juridike nga mospërmbushja e kontratës për shitjen ndërkombëtare të mallrave (2016). Gjithashtu, është autor i kapitullit Mediation in the Republic of North Macedonia: A Successful Dispute Resolution Tool, në librin Political, Cultural and Economic Developments in the Balkans (botuar nga Universiteti i Trakisë, 2022). Ai është edhe bashkë përpilues i Fjalorit kontekstual interpretues dygjuhësh (maqedonisht dhe shqip) të nëndisiplinave të drejtësisë (2021). Ai është autor i 41 punimeve shkencore dhe profesionale të publikuara në revista shkencore të indeksuara dhe me faktor ndikimi. Gjithashtu, me punime shkencore është prezantuar në 39 konferenca shkencore ndërkombëtare, ndërsa kontributin dhe përvojën e tij shkencore e ka dhënë edhe si anëtar i këshillit shkencor në dhjetëra sish. Për më tepër, autori është anëtar i këshillit redaktues dhe recensues zyrtar në 22 revista shkencore ndërkombëtare.
Në vitin 2022, Prof. Dr. Faton Shabani është zgjedhur Prorektor për Financa, Investime dhe Zhvillim në Universitetin e Tetovës. Gjithashtu, në këtë vit nga Ministria e Drejtësisë është zgjedhur anëtar i Grupit Punues për përgatitjen e Strategjisë për sektorin gjyqësor me Planin akcional 2023-2027. Në vitin 2021 është zgjedhur anëtar në Senatin e Universitetit të Tetovës. Në po të njëjtin vit është zgjedhur nga Kuvendi Republikan anëtar në Këshillin Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Veprimtarinë Shkencore-Hulumtuese, ndërkaq nga viti 2020 është anëtar i Grupit Operativ për Fillimin e Procesit të Kodifikimit të së Drejtës dhe Rendit Juridik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe është zgjedhur trajnues në Programin për trajnim dhe provim të kandidatëve për drejtorë në shkollat fillore dhe të mesme.

Marketing