Gjendja e sigurisë, Stoillkovski: Institucionet po përhapin krimin

VMRO – DPMNE hedh akuza ndaj policisë për përhapjen e krimit, sipas tyre duke i siguruar armë personit të inkrimuar, Shukri Asani. Zëdhënësi i partisë, Naum Stoillkovski, kërkon të thuhet se leja për armë a është dhënë nga shefi i policisë kundër krimit, Muzafer Karishiq, njëherësh anëtarë i komisionit për dhënien e lejeve për furnizim me armë.

Marketing

“Spasovski dhe Tasevski do të duhet të përgjigjen se a është e mundur që policia t’i jep leje personit Shukri Asani, i cili sipas organeve të rendit është i dyshuar për transport të kokainës, anëtarë i grupit kriminel të Gërçecit dhe në mesin e dhjetë personave në listën e hetimit Qytet i Sigurt. A mundet që Shukri Asani si person i listës së dyshimtë, të marrë leje për armë nga komisioni i drejtuar nga Karishiq? A mund që me procedurë të përshpejtuar të furnizohet me leje një person i cili nuk përmbush kushtet e parashikuara e ligj?”, – deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Por, sipas ministrit për punë të brendshme, Oliver Spasovski, ka përfunduar koha e mbrojtjes së krimit dhe vrasjeve.

“Nuk ka mbrojtje për asnjë person dhe duhet të jemi të qartë se përfundoi koha kur mbrohej vrasja sikurse vrasja e Martin Neshkovskit, mbrojtje e një varg vrasjesh që ndodhnin në atë kohë, ndërkohë që kjo ministri e punëve të brendshme thirrej me emër tjetër. Këto janë faktet dhe para tyre edhe zotëritë heshtin.”, ka shkruar Spasovski në profilin e tij në facebook.

Sipas pretendimeve të VMRO-DPMNE -së nga ardhja e Spasovskit në krye të MPB-së, kanë mbetur pa u ndriçuar 20 vrasje vetëm në territorin e Shkupit. Së fundmi, kryeqytetin e tronditi vrasja e dyfishtë në Çarshi.