Publikohet aneksi i zbatimit të marrëveshjes Kosovës-Serbi

Bashkimi Evropian ka publikuar përmbajtjen e aneksit të zbatimit të marrëveshjes për normalizim raportesh në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Marketing

Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të implementojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Implementimit do të bëhet pjesë kyçe e proceseve të tyre të anëtarësimit në BE. Palët marrin shënim se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, lehtësuesja, BE-ja do të nisë procesin për të amandamentuar Kapitullin 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim po ashtu do të reflektojë obligimet e reja të Kosovës që burojnë nga Marrëveshja dhe Aneksi.

Palët bien dakord që të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Për ta implementuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshëm përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese.

Palët bien dakord që brenda 30 ditësh të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorimi, të kryesuar nga BE-ja. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

Për ta implementuar nenin 9, BE-ja do të organizojë konferencë të donatorëve brenda 150 ditësh për të krijuar një paketë të investimeve dhe financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë implementuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi është pa paragjykim ndaj rendit të implementimit të tyre.

Kosova dhe Serbia pajtohen të mos e bllokojnë implementimin e asnjërit nen.

Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Kosova dhe Serbia pajtohen se çdo mosrespektim i obligimeve nga Marrëveshja, Aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut, mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për procesin e tyre përkatës të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.