Besimi-Ruhe: Investimet kapitale prioritet kryesor i Qeverisë

Realizimi i projekteve kapitale është prioritet në axhendën e Qeverisë. Aktualisht, punohet në projekte për modernizimin e infrastrukturës rrugore, lidhjen hekurudhore me Bullgarinë dhe Shqipërinë, ndërtimin e infrastrukturës komunale, mbrojtjen e mjedisit jetësor, si dhe energjetikën, e cila për shkak të krizës energjetike po bëhet çështje kyçe. Aktivitetet që ndërmerren në lidhje me realizimin e projekteve, të cilat financohen me përkrahje nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ishin sot temë e takimit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, me drejtoreshën e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe dhe shefin e Zyrës së BERZH-it në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Andi Aranitasi.

Marketing

“Qeveria është e angazhuar fuqishëm për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve dhe mjedisit afarist. Investimet kapitale janë një nga prioritetet kryesore në programin qeveritar. Struktura e shpenzimeve në buxhet po ndryshon, me theks në investimet kapitale. Në dy vitet e fundit, buxheti ka qenë në përputhje me rregullin e artë, gjegjësisht investimet kapitale janë në nivel më të lartë se deficiti buxhetor. Këtë vit janë planifikuar 800 milionë euro për investime kapitale. Mjetet do të destinohen për intensifikimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, gjegjësisht për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe gjyqësor”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ministri theksoi masat që ndërmerren për realizim më efikas dhe më efektiv të shpenzimeve kapitale, duke përfshirë vendosjen e mekanizmit CAPEF, krijimin e njësisë së re organizative për vlerësimin e investimeve në kuadër të MF-së – PIMA, si dhe krijimin e Komitetit të ri drejtues në nivel të Qeverisë, që do të përcaktojë prioritetin e projekteve për financim etj.

Në këtë takim, ministri Besimi potencoi se e rëndësishme dhe kyçe është përkrahja që Qeveria e merr nga institucionet ndërkombëtare financiare gjatë realizimit të projekteve të tilla.

Përveç kësaj, ministri Besimi theksoi se BERZH-i është institucion financiar me portofol prej rreth 900 milionë eurove në projekte aktuale në sektorin publik, ndërsa deri më tani ka aprovuar 171 projekte në vlerë të përgjithshme prej 1.5 miliardë eurove, ku 86% janë për sektorin publik.

Ndër projektet prioritare, ku për realizimin e të cilave qëndron pas Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë: pjesa hekurudhore e Korridorit 8 drejt Bullgarisë; rruga Kriva Pallankë – kufiri me Bullgarinë; rruga Kërçovë – Bukojçan; aksi i autostradës Shkup – Bllacë, kufiri me Kosovën. Po ashtu, kjo bankë ka shprehur interes për përfshirjen e saj në financimin e projektit për ndërtimin e pjesës perëndimore të Korridorit hekurudhor 8, pjesa Kërçovë – Strugë.

Përkrahje të rëndësishme ka edhe për realizimin e projektit për ndërtimin e interkonektorit me Greqinë, ndërtimin e pjesëve të gazsjellësve Shën Nikollë – Veles dhe Gostivar – Kërçovë, projektin për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, si dhe pjesëmarrjen në projektin për stacionin e filtrimit në Shkup, për të cilin sot u nënshkrua marrëveshja prej 70 milionë eurove për grant WBIF nga BE-ja, ku pjesëmarrja e BERZH-it për realizimin e këtij projekti është në vlerë prej 58 milionë eurove.

Në takim u theksua se vendosja e bashkëpunimit të suksesshëm do të vijojë edhe në të ardhmen në projekte që do të kontribuojnë për zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve.