AlternAtivA: Raporti i State Department-it Amerikan e konfirmon betejën tonë kundër korrupsionit

Një nga shqetësimet më të mëdha të përbashkëta, shqetësime që nuk dallojnë përkatësinë etnike, fetare ose politike, që na shqetësojnë të gjithëve dhe nuk lejojnë progres të mjaftueshëm të shtetit, është padyshim lufta kundër korrupsionit të lartë.
I njohur gjerësisht si korrupsioni politik!
Kur politikanët marrin funksionin kanë status pronësor modest, ndërsa largohen si njerëz të pasur. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vë në dukje atë që të gjithë e dimë. Korrupsioni politik ka depërtuar në të gjitha poret e sistemit dhe ky defekt duhet ndalur, tani dhe menjëherë!
Qëllimi ynë është të ndërtojmë mekanizëm kushtetues që do t’i adresojë të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin ligjvënës, ekzekutiv dhe lokal, të cilët me ushtrimin e paligjshëm të pozitës zyrtare kanë fituar dobi të paligjshme pronësore.
Politika nuk duhet të jetë më biznesi më fitimprurës!
Ose do t’u shërbejmë qytetarëve dhe shtetit në kuptimin e vërtetë të fjalës ose do të bëhemi vend fantazmash. Të gjithë të rinjtë do të largohen dhe as mendja nuk do t’u shkojë të kthehen.
Prandaj, AlternAtivA është partia e vetme politike që si pjesë e Qeverisë doli me propozimin e saj për ndryshimet në Kushtetutë, për të cilin jemi të bindur fuqimisht se duhet t’i bashkojë të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut. Amendament kushtetues që do ta afrojë Maqedoninë e Veriut një hap të madh përpara në integrimin në BE.
Në konsultimin e gjerë me ekipet juridike të Alternativës, duke përdorur praktikën krahasuese, dolëm me propozim-tekst të hartuar për amendamentin kushtetues, për të cilin ftuam në debat të gjerë publik me ekspertët kushtetues dhe partitë e tjera politike.
Ky është propozimi i Alternativës:
Ligjet mund të kenë efekt prapaveprues edhe në rastet që lidhen me parashkrimin e përgjegjësisë penale për keqpërdorimet e kryera nga personat e zgjedhur dhe të emëruar në ushtrimin e autorizimeve publike që kanë shkaktuar dëme në fondet publike, mjetet buxhetore në nivel qendror dhe lokal dhe me keqpërdorimet e tilla është fituar dobi e paligjshme pronësore.
Arsyetimi:
Me këtë amendament plotësohet neni 52 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Ky amendament do të jetë paragrafi 5, do të pasojë pas paragrafit 4 i cili parashikon se: “Ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveç përjashtimit në rastet kur kjo është më e favorshme për qytetarët”.
Amendamenti i propozuar do të jetë bazë dhe do të hapë mundësinë, duke ndryshuar dhe plotësuar me nen të ri 112-a në KP, për të parashikuar dispozitë me të cilën veprat penale eventuale të kryera nga personat e zgjedhur dhe të emëruar, të cilat kategorizohen si vepra penale kundër detyrës zyrtare, asnjëherë mos të vjetrohen. Kjo nënkupton edhe zgjerimin e fushës së konfiskimit të pronës së fituar në mënyrë të paligjshme.
Me këtë amendament do të jepet baza kushtetuese për revizionin e të gjitha procedurave gjyqësore për personat e zgjedhur dhe të emëruar të mëhershëm ose aktualë, të cilat janë ndërprerë për shkak të parashkrimit të përgjegjësisë së mundshme penale.
Me këtë amendament, në fakt do të përmbushen kërkesat e qytetarëve për sigurimin e sundimit të së drejtës, sigurisë juridike dhe barazisë përpara ligjeve dhe procedurave gjyqësore për të gjithë personat e zgjedhur dhe të emëruar që me propozim të partive politike që kanë ushtruar ose ushtrojnë funksione në pushtetin ligjvënës, ekzekutiv dhe lokal, të cilët e keqpërdorin ndikimin e tyre dhe ushtrojnë presion për t’i prolonguar procedurat kundër tyre deri në parashkrimin e tyre.
Konsiderojmë se lufta kundër korrupsionit dhe nevoja për t’i zhdukur zakonet tmerrësisht të këqija të korrupsionit politik dhe shmangia e drejtësisë duke u përpjekur të ndikojë në gjyqësor, është kancer – plagë e shoqërisë sonë dhe e bën politikën profesionin më të urryer.
Ne jemi brez politikanësh që duhet të punojmë për të rikthyer besimin dhe shpresën se ndryshimet për mirë janë të mundshme.
Në dallim nga konkurrenca jonë e drejtpërdrejtë politike që ka ngecur në të kaluarën, AlternAtivA është partia e së ardhmes!

Marketing