Me moton “10 vjet krenari” komuna e Kërçovës organizoi manifestimin jubilar kushtuar “Orës historike të Kërçovës nën qeverisjen shqiptare”. Këtë shënim jubilar të rrugëtimit 10 vjeçar të qeverisjes së kryetarit Fatmir Dehari që u mbajtë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë e përshëndeti edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti si dhe përfaqsues të pushtetit lokal dhe qëndror.
Dhjetë vjetori i fitores historike që u shënua më 24 mars të vitit 2013 me shprehjen e lirë të vullnetit të popullit shumicë të Kërçovës, edhe sot ngjallë emocione të shumta që tashmë janë shndërruar në një festë krenarie e cila shënon këthesën e madhe të fitores dhe qeverisjen e shqiptarëve me komunën e Kërçovës.
“Ndarja e atëhershme teritoriale ishte e dhimbshme sepse ajo ishte vendosur mbi politikat që i margjinalizonin shqiptarët duke i mbajtur ato jashta qendrave urbane. Zgjidhja jonë ishte e qëndrueshme dhe kjo u dëshmua nga qeverisja 10 vjeçare me komunën e Kërçovës”, tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti, të cilit me këtë rast iu nda edhe mirënjohja për kontributin madhor si autoriteti që solli unitetin e munguar të shqiptarëve në fitoren e madhe të Kërçovës.
Protagonisti i fitores së vitit 2013 Fatmir Dehari, i cili në tri mandate ushëheq me komunën e Kërçovës, u shprehu mirënjohje të gjithë qytetarëve, e në veçanti diasporës shqiptare, shokëve të luftës dhe bashkëveprimtarëve të tij, për mbështetjen e fuqishme në rrugëtimin me plot mund e sakrificë që e kurorëzoi me sukses fitoren historike dhe qeverisjen 10 vjeçare me komunën e Kërçovës.
Me këtë rast, për kontributin e dhënë në proceset e deritanishme, mirënjohje iu ndanë shoqatave nga diaspora, “Kërçova” dhe “Sofra kërçovare”, ndërsa çmimi me motivacionin “Kalorësi triumfator”, iu nda kryetarit Fatmir Dehari, i cili tri herë me radhë vulosi fitoren në komunën e Kërçovës. Këtë manifestim, me pjesëmarrjen e tij e nderuan edhe artistët Kastriot Tusha e Shkodran Tolaj si dhe Ansambli Shtetror i Këngëve dhe valleve shqipe i cili para publikut kërçovar prezentoi një program të pasur artistik me këngë e valle popullore.