Biden, thirrje Netanjahut të heqë dorë nga plani për ndryshime në gjyqësor

Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të martën të heqë dorë nga plani për reformën e gjyqësorit që do të tkurrte kompetencat e këtij sistemi dhe forconte kontrollin ndaj tij nga qeveria.

Thirrja ngjalli reagimin e udhëheqësit izraelit i cili tha se nuk merr vendime bazuar tek presioni nga jashtë. Zoti Netanjahu shtyu të hënën planet për ndryshimet pasi dhjetëra mijëra vetë dolën për të protestuar në rrugë. Shtëpia e Bardhë kishte thënë fillimisht se zoti Netanjahu duhet të kërkojë një kompromis për këtë çështje.

Por zoti Biden shkoi më tej në përgjigje të gazetarëve të martën. “Shpresoj që ai të heqë dorë prej tij,” tha zoti Biden, duke iu referuar planit që do t’i jepte qeverisë izraelite kontroll më të madh mbi emërimet në Gjykatën e Lartë të vendit. Kryeministri Netanjahu reagoi menjëherë duke lëshuar një deklaratë.

Marketing

“Izraeli është një vend sovran që i merr vendimet me vullnetin e popullit të tij dhe jo bazuar në presionet nga jashtë, përfshirë edhe miqtë tanë më të mirë,” tha ai.

Zoti Netanjahu tha se administrata e tij po përpiqej të bënte reforma “me një konsensus të gjerë”.

“Unë e njoh Presidentin Biden ptej më shumë se 40 vjetësh dhe e vlerësoj angazhimin e tij ndaj Izraelit,” tha ai.

Ai tha se aleanca Izrael-SHBA është e pathyeshme “dhe i tejkalon gjithmonë mosmarrëveshjet e herëpashershme mes nesh.

“Administrata ime është e përkushtuar për forcimin e demokracisë duke rivendosur ekuilibrin e duhur midis tre degëve të qeverisë, të cilin ne po përpiqemi ta arrijmë nëpërmjet një konsensusi të gjerë,” tha zoti Netanjahu.