Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë fjalës së tij në deklaratën pa betim, tha se në momentin kur ka dalë raporti i ish-senatorit Dick Marty, ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare hetim të pavarur.
Thaçi tha se ishte bashkësia ndërkombëtare ajo që i ka thënë se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për ta hequr “renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë”, teksa shtoi se “kjo sakrifice ia ka vlejtur”.
“Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se ‘Shtëpia e Verdhë’ s’ka ekzistuar kurrë”, tha Thaçi, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Thaçi tha se ai personalisht, UÇK-ja dhe të gjithë shqiptarët janë shfajësuar nga akuzat e Martyt.
“E vërteta është thënë se reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur. Unë pres që të shfajësohem nga çdo akuzë në përfundim të këtij procesi”, është shprehur Thaçi.