Qeveria Britanike e gjobitë Tik Tok-un me 14.5 milion euro

Zyra e Komisionit për Informacione në Qeverinë e Britanisë së Madhe, ka gjobitur rrjetin social TikTok me 14.5 milionë euro gjobë.

Marketing

Një raport i kësaj zyre konstaton se 1.4 milionë fëmijë britanikë nën 13 vjeç arritën të hapin një llogari në TikTok, pavarësisht se rregullat e këtij rrjeti nuk e lejojnë përdorimin prej tyre pa miratimin e prindërve.
Komisioneri britanik për Informacionin thotë se shkelja që ka kryer TikTok-u është se dështoi të identifikojë rastet kur përdoruesit kanë qenë fëmijë nën 13 vjeç. Regjistrimet e konstatuara janë të periudhës mes viteve 2018-2020.

Rrjeti i madh social në pronësi të firmës kineze Byte Dance po përballet me një sërë kufizimesh në shtetet perëndimore.

Australia është vendi i radhës ndalon përdorimin e Tiktokut në celularët e punonjësve të administratës publike, nga frika e grabitjes së të dhënave të tyre nga shërbimet kineze të zbulimit.

Më herët, këtë hap e kanë ndërmarrë edhe Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Komisioni Europian e Kanadaja.