Lufta në Ukrainë dhe objektivi i ri i Putinit me SHBA

Politika e jashtme ruse, sipas një dokumenti të hartuar së fundmi nga Kremlini, i cili përcakton bazat se si do të jetë veprimi i qeverisë në skenën ndërkombëtare, në të ardhmen do të jetë edhe më luftarake, duke luftuar ndikimin e SHBA në të gjithë planetin.

Marketing

Dy superfuqitë kanë qenë historikisht në luftë për ndikimin mbi rajonet e botës me interes gjeostrategjik. Shtetet e Bashkuara, të rrethuara nga aleatët e tyre të NATO-s, panë shembjen e ish-Bashkimit Sovjetik, që do t’i linte vendin asaj që tani njihet si Federata Ruse. Ajo që i ndjeri Gorbaçov kishte projektuar fillimisht si një tranzicion paqësor drejt demokracisë liberale, përfundoi në një regjim hibrid me ngjyrime autoritare që ndërthurin konservatorizmin me nostalgjinë për të kaluarën sovjetike.

Pushtimi i paligjshëm i Putinit në Ukrainë ka sjellë një përplasje të re mes armiqve të vjetër, që të kujton fazat më të tensionuara të Luftës së Ftohtë, një makth që bota, me sa duket, nuk ka arritur ende ta varrosë.

Në tekstin ku qeveria ruse shënon linjat e reja të veprimit janë përfshirë disa shtojca që, me siguri, nuk kanë kaluar pa u vënë re në Perëndim. Sidomos në Shtëpinë e Bardhë, pasi Rusia ka deklaruar se ka misionin përfundimtar dhe më të lartë për të “eliminuar gjurmët e dominimit të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera armiqësore në çështjet botërore”.

Rusia do të përpiqet të afrohet më shumë me vendet neutrale ose të paangazhuara, veçanërisht me fuqitë e mëdha rajonale ose ekonomitë në zhvillim, si Brazili, India ose kombet e mëdha afrikane. Kështu, Putini synon të inkurajojë krijimin e “një regjimi multipolar” që sjell bashkime të reja strategjike dhe kundërpesha për sferën perëndimore dhe aleatët e saj.