Fruta-perimet, kontrolle ndaj tregtarëve

Më shumë se 30 inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut që në mëngjes ishin në terren në të gjithë territorin e vendit për të kryer kontrolle tek importuesit e perimeve dhe frutave. Inspektorët e tregut vepruan në koordinim me Drejtorinë e Policisë Financiare dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Me mbi 10 automjete, autoritetet ndërmorën aksion edhe në tregun me shumicë “Kvantashki” në Shkup, ku morën dokumentacionin dhe numëruan sasitë që ishin në depot e tyre.

Marketing

Për katër orë rresht u zhvillua një aksion i përbashkët i institucioneve përkatëse këtu në tregun e fruta-perimeve me shumicë në kryeqytet. Tregtarët dhe importuesit janë të irrituar dhe nuk duan të flasin para kamerave, por thonë se kanë shumë shpenzime, si për shembull një maune që po shkarkohet tani për të ardhur nga Turqia deri në Shkup, kushton 4 mijë euro transporti dhe për 22 ton domate, diku 9 mijë euro u bëhet dogana, të dhëna këto sipas tregtarëve që shesin me shumicë.

Ky aksion erdhi pasi Ministria e Ekonomisë dje konstatoi se shumica e importuesve në muajt e fundit kanë dhënë fatura të rrejshme në Dogana dhe faturat e të tjera me të cilat kanë blerë produktet në vendet e rajonit kanë qenë të ndryshme. Sipas autoriteteve, importuesit kanë shmangur detyrimet doganore dhe për këtë arsye Drejtoria e Doganave ka për detyrë të bëjë kontrolle të hollësishme dhe të denoncoj për evazion fiskal, e cila është vepër penale e dënueshme me mbi 10 mijë euro gjobë për çdo shkelje.

“Aksioni i tre organeve përgjegjëse është zhvilluar te importuesit me shumicë në Shkup, Strumicë, Dibër dhe qytete të tjera. Në rast se inspektorët konstatojnë shkelje të vendimeve për ngrirje të çmimeve, do të pasojnë dënime sipas Ligjit për tregti. Ky aksioni do të zgjasë gjatë gjithë ditës së shtunë, ndërsa informacionet për rezultatet do të publikohen të hënën”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria ka marrë vendim që tregtarët dhe importuesit që shesin fruta-perime duhet të marrin dhe shesin 70 për qind të sasive që kanë shitur në janar dhe shkurt. Nga ana tjetër, dje ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi bëri të ditur se çmimet e frutave dhe perimeve të ngrira që nga e mërkura do të korrigjohen dhe do të ketë rritje apo ulje të lehtë, por asnjë nga produktet që janë pjesë e vendimit të qeverisë nuk do të kenë çmim më të lartë se 100 denarë. Ai shtoi se korrigjimi do të jetë në përqindje, gjegjësisht sa janë rritur çmimet e importit të produkteve të caktuara, do të rritet edhe çmimi i ngrirë në përqindje. Korrigjimi do të bëhet sipas mënyrës se si janë paraqitur çmimet doganore nga data 28 mars e deri më 7 prill, të cilat janë kosto reale nga importi./Alsat.mk