14 prilli caktohet “Dita e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”

Me propozim të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbledhjen e 138-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Marketing

Presidentja Osmani, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.