Të rinjtë e Fraksionit të BDI-së me porosi për ministrat: Mos luani me fatin tonë sepse ne nuk jemi lojërat e juaja të fatit

Rinia është e ardhmja e një vendi, por ne sot me keqardhje duhet të përkujtojmë se neve, këtë të ardhme të vendit kjo Qeveri na e ka hequr krejtësisht nga rendi i ditës. Dhe me ne po luajnë pikërisht si me lojërat e fatit që dita ditës po i hapin në formë të kazinove dhe bastoreve. Këtë e theksuan të rinjtë e Fraksionit të Bashkimit Demokratik për Integrim në konferencën e sotme të shtypit.

Marketing

Ata i akuzuan ministrat shqiptarë se në vend që të rinjve t’u hapin biblioteka, vende pune apo kënde rinore, ato po ju hapin bastore.

“Ne dëshirojmë të ngremë alarmin sot nga këtu se përveç që po na detyroni çdo dite e më shumë ta braktisim vendin dhe të marrim rrugët e kurbetit po na i sjellni edhe të keqen para derës me lojërat e fatit. Në vend që të na hapni biblioteka, vende pune apo kënde rinore, ju po na hapni bastore. Po na i rrezikoni ardhmërinë tonë si të rinj, po na i cenoni statusin financiar si dhe shëndetin mendorë”, tha nënkryetari i Forumit Rinor të BDI-së dhe përfaqësues i Fraksionit, Jetmir Asani.

Ai shtoi se janë të shqetësuar për formimin e video-lotarisë së re nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

“Ne ndjehemi të shqetësuar nga lajmet që morëm se po themelohet një video lotari e re nga ana e qeverisë së Maqedonisë, me të cilën nënkuptojmë se APARATET do ti kemi çdo kund, në vend që ti kemi qendrat rinore apo qendrat për inovacion.

A e keni logjikuar se të rinjtë janë më të ndjeshëm ndaj ndikimit të lojërave të fatit se sa të rriturit, shtoi Asani

Ai përkujtoi në një anketë të realizuar nga Lëvizja Antibixhoz për ndikimin e lojërave të fatit tek të rinjtë theksohet se nga të anketuarit 58% të të rinjëve të paktën një herë kanë luajtur Kazino, Bastore, apo Online Kazino. Ndërsa ajo që është edhe më alarmante se po në këtë anketë thuhet se 67 prej të anketuarve kanë deklaruar se kanë luajtur për herë të parë nga mosha 8 deri 18 vjeçe.

“Në Maqedoninë e Veriut kemi mbi 1200 Kazino, Bastore, dhe Online Kazino ndërsa kemi 109 Shkolla të mesme, 227 Biblioteka dhe 20 qendra Rinore, që do të thotë 3 fish më shumë kemi Kazino dhe Bastore se sa vende ku mund të rinjtë të zhvillojnë mendimet e tyre dhe idetë e tyre.

Prandaj ne si të rinj vendosëm që të reagojmë ndaj këtij vendimi te ekzekutivit dhe i nxisim ministrat tanë dhe qeverinë tonë të filloj të mendoj më shumë në ndërtimin e mundësive më të mira, për të rinjtë për tu zhvilluar në jetën e tyre akademike si dhe shoqërore”, tha Asani.

Njëkohësisht të rinjtë i bëjnë thirrje Qeverisë së lojërave të fatit të vendosë gishtin në kokë se nëse nga 10 mijë të rinj në vit kanë braktisur vendin për kurbet, ky numër do të jetë shumë më i larte falë politikave qeveritare që nuk i kan fare për të rinjtë.

“Por keni politika se si të themeloni më shumë kompani për lojëra fati e ato ti udhëheqin njerëz të afërt me ju nga të cilët 3 anëtarë të Videollotarisë së re janë pikërisht të afërmit e ministrave të BDI-së. Andaj ju themi që mos të luani me fatin tonë sepse ne nuk jemi lojërat e juaja te fatit. Nëse nuk reflektoni do të marrim hapa të mëtutjeshëm duke përdorur metoda të ndryshme demokratike, për ta ndaluar këtë të keqe në shoqëri”, përfundoi Asani.