Veliaj dhe Elvana Gjata shërbejnë darkën e iftarit në Natën e Kadrit

Kryebashkiaku Erion Veliaj së bashku me këngëtaren e njohur, Elvana Gjata, kanë shërbyer mbrëmjen e djeshme iftarin e Natës së Kadrit në Qendrën Sociale “Të Qëndrojmë së Bashku” në Kombinat.

Marketing

Artistja shqiptare u shpreh mirënjohëse që ishte pjesë e shërbesës në natën e shenjë të besimtarëve myslimanë.

“Faleminderit shumë, Lali Eri! Është vërtet nder për mua! Faleminderit shumë për ftesën! Zemra jote është e madhe dhe unë jam shumë e lumtur që jam këtu me ty sot, bashkë me motrat dhe vëllezërit tanë. Zoti ju’a pranoftë lutjet, agjërimin dhe veprat tuaja të mira! Më vjen mirë që, ashtu siç Zoti është treguar i mirë me mua, të jem ndihmë, të jem krah për të gjithë ju që jeni këtu sot dhe shumë të tjerë”, tha Elvana Gjata.

Ndërkohë, Veliaj i uroi të gjithë besimtarët agjërim të pranuar në një natë ku vlerësohet sakrifica e secilit në Muajin e Shenjtë të Ramazanit.

Ndër të tjera ai tha se vetëm në këtë muaj të bekuar në Tiranë janë hapur dy xhami të reja.

“Unë dhe Elvana mezi e pritëm që të shërbenim darkën e Natës së Kadrit së bashku me ju. E di që kemi kaluar kohë shumë të vështira dhe jam shumë i ndërgjegjshëm për këtë. Sa herë sjell një mik ose një mikeshë, siç kam sjellë sot Elvanën, është një mënyrë për të dhënë një mesazh se kur jemi bashkë mund të bëjmë disa gjëra që veç e veç nuk i bëjmë dot. Unë ju njoh shumë prej jush, ua di historinë, sakrificat, e ndonjëherë edhe vështirësitë që keni kaluar në jetë. Sot është një natë kur kërkojmë falje për ato gjëra që nuk i kemi bërë si duhet, kërkojmë mëshirë për ato ditë që nuk kemi qenë në formën tonë më të mirë, kërkojmë ndihmë që Zoti të na japë fillimisht njëri-tjetrin. Po të kemi njëri-tjetrin, po të kemi dashuri, ne mund të ecim përpara.
Jam shumë mirënjohës që kemi hapur xhaminë e re këtu në “Misto Mame”, po ashtu edhe një tjetër te Depo e Ujit. Sa herë hapet një institucion që afron njeriun me Zotin, mbyllet një derë burgu, dhe siç kemi këtë institucion, që është një institucion civil fare pranë një institucioni të besimit, e ndajmë barrën e vështirësive dhe sfidave. I falenderoj të gjithë, duke filluar nga gocat që shërbejnë këtu, të gjitha skuadrat tona në qendrat sociale. I falenderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat në xhamitë e Tiranës, por sidomos në zonat periferike, ku edhe nevoja është pak më e madhe e ku bujaria lipset më shumë,” tha Veliaj.