Dy persona kërkuan të dërgohen për kontrolle mjekësore në klinikat e Shkupit pas aksionit të djeshëm në burgun e Idrizovës dhe më pas u kthyen në burg. Një ditë më parë njësiti special i Ministrisë së Brendshme, me kërkesë të policisë së burgut, kreu kontroll në burgun e Idrizovës. Jozyrtarisht, bëhet fjalë për shpërbërjen e një grupi droge që vepronte brenda burgut, por shkaqet nuk janë konfirmuar. Sipas disa informacioneve të Alsat, thuhet se ka pasur trazira midis të burgosurve dhe ka pasur një përplasje me policinë e burgut, prandaj për ndihmë është thirrur njësiti special i Ministrisë së Brendshme. Janë bllokuar hyrjet dhe daljet e repartit gjysmë të hapur dhe të hapur ndërsa pjesë e aksionit ishte edhe administrata e burgut. Ndërkohë në periudhën e kaluar u dogjën disa automjete të zyrtarëve të burgut, mes të cilave edhe ajo e zëvendës drejtorit. Ministria e Brendshme ende nuk ka dhënë detaje për aksionin. (alsat)