Përkeqësohet gjendja e refugjatëve në itinerarin e Ballkanit

Organizata e Kryqit të Kuq dhe ajo e Gjysmëhënës së Kuqe vërejnë muajt e fundit keqësim të madh të gjendjes së refugjatëve që kalojnë nëpër itinerarin e Ballkanit dhe Detit Mesdhe.

Marketing

Federata e Kryqit të Kuq ashtu edhe ajo e Gjysmëhënës së Kuqe, IFRC i janë drejtuar me një apel qeverive të vendeve në itinerarin e Ballkanit dhe Mesdheut si edhe atyre europiane të përmirësojnë mekanizmat e shpëtimit të refugjatëve. “Ne nuk mund ta injorojmë tragjedinë e të humburve, dhimbjen e papërshkruar dhe rastet e mënjanueshme të vdekjeve”, është shprehur Ezekiel Simperingham nga Federata, përgjegjëse për migracionin. “Të gjitha vendet duhet që me një plan të koordinuar, integrativ dhe jo diskriminus të sigurojnë mbështetjen e nevojshme humanitare për njerëzit që marrin udhën e migrimit”, citon agjencia e lajmeve dpa, Simperingham.
Kryqi i Kuq ka qindra pika trajtimi të refugjatëve në disa vende në Ballkan, në Bosnje, Kroaci, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Slloveni për të furnizuar me ndihmë të parë humanitare refugjatët. Aty jepen ushqime, ilaçe dhe artikuj higjiene. Ekipe mobile përveç kësaj lëvizin në rajone të vështira për të ofruar ndihmë për njerëzit që shpeh gjenden në situatë të mjerueshme. Në Mesdhe ndihmësit e Kryqit të Kuq bashkë me organizatën humanitare, SOS Mediterranee kanë shpëtuar nga mbytja në det të hapur mijëra vetë.
Vetëm të enjten u shpëtuan 29 vetë, që ndodheshin në një gomone të vogël në Mesdhe, u shpreh Sara Mancinelli për këtë mision shpëtimi. Organizatat humanitare veç ndihmës së parë me ujë dhe ushqim ofrojnë edhe ndihmë psikologjike. Shumë migrantë nuk arrijnë të flasin dot pas përjetimeve të rënda në rrugën e migrimit. Disa tregojnë gjurmë të qarta të torturave në trup. Për shumë nga ata që vijnë nga kampet në Libi, kalimi i Mesdheut është rruga e vetme për të mbijetuar./ DW