Ashtu siç veproi Ali Ahmeti, bashkë me Fazli Veliun dhe shokët e tyre
kur morën model personalitetet e shquara të historisë sonë kombëtare,
ndër ta edhe Kalosh Danin dhe trimat tjerë të Zajazit dhe gjithë
shqiptarisë, edhe elitat e reja politike do të duhej të bashkëdyzonin
përvojat historike me ato moderne, duke krijuar parakushte për një
algoritëm të ri ashtu siç kanë vepruar edhe popujt e civilizuar.
Prof.dr. Skender ASANI
Mbledhja konsultative e LPRK-së mbajtur më 23 dhe 24 prill të vitit
1993, në fshatin Kollarë të Kërçovës, ka rëndësi të jashtëzakonshme
historike sepse shënon kthesë substanciale në metodologjinë e veprimit
ilegal politik, që më vonë do të prodhojë një orientim të qartë të
rezistencës aktive, deri në formimin e UÇK-së, si bartëse kryesore e
frontit të armatosur për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Prandaj, me të
drejtë mund të thuhet se mbledhja në Kollarë më vonë do të konsiderohet
si bërthama ku u ngjiz ideja konkrete për formimin e UÇK-së, që është
edhe sinonim i lirisë dhe pavarësisë sonë kombëtare.
Nëse e shikojme në retrospektivë kontekstin kohor kur u mbajt kjo
mbledhje, do të vërejmë se jemi në fillim të viteve nëntëdhjetë, atëherë
kur pluralizmi politik dhe demokracia parlamentare ishin instaluar edhe
në hapësirën shqiptare, ndërkohë që Evropa Qendrore dhe Lindore po
jetonte në agun e një periudhe ku posa ishte ngritur perdja e hekurt e
luftës së ftohtë dhe përfundimi i ndarjes së botës në dy blloqe të mëdha
ideologjike e ushtarake.
Përderisa në shtetet postkomuniste, siç ishte rasti, bie fjala, me
Slloveninë, Kroacinë, Poloninë, Hungarinë etj. elitat e reja politike të
atjeshme kishin marrë në duar fatin për të drejtuar institucionet në
përputhje me interesat e popujve të tyre, kjo nuk kishte ndodhur me
hapësirën politike shqiptare në Ish – Jugosllavi. Akomodimi
institucional dhe koketimi me politikat zyrtare serbe, malazeze e
maqedonase që erdhi pas instalimit të pluralizmit politik, bëri që
eksponentët shqiptarë nëpër institucione të mos i përçojnë mjaftueshëm
interesat e popullit shqiptar, andaj kjo ishte edhe arsyeja se pse LPRK
iu bëri presion udhëheqjeve të partive të atëhershme politike të
përfaqësuara në parlament dhe në qeveri që të zbatojnë vullnetin
politik të popullit. Sepse, siç thuhej në një nga konkluzionet e kësaj
mbledhjeje, “çështja kombëtare do të gjejë përkrahje në faktorin e
jashtëm vetëm atëherë kur faktori i brendshëm është i organizuar dhe i
vendosur për ta çuar çështjen përpara, duke aplikuar të gjitha mjetet e
luftës çlirimtare”.
Dhe kjo ndodhi vetëm në fund të viteve nëntëdhjeta, atëherë kur
rezistenca aktive u kurorëzua me aksione të armatosura guerile në vitet
1997/98, prej nga lindën edhe formacionet e para të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, veprime këto që kishin si pikënisje pikërisht
frymën mobilizuese të mbledhjes së 23 dhe 24 prillit të LPRKS-së.
Tani pas 30 viteve, kur po i bëjmë një rekapitulim historik kësaj
ngjarjeje të rëndësishme, do të shohim se drejtuesit dhe ideuesit e saj
kishin vizion të qartë mbi të ardhmen dhe mbi nevojën e një organizimi
më efikas që do të prodhonte efekte konkrete në terren.
Mund t’i numërojmë disa arsye se pse kjo mbledhje është e një rëndësie
të veçantë, por kësaj radhe po veçojmë dy prej tyre:
1. Vendimet që u morën në këtë mbledhje, prodhuan efekte të
jashtëzakonshme në infrastrukturën organizative dhe në shtrirjen e
veprimeve konkrete në të gjithë hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi
2. Për herë të parë LPRK po merrte vendime që do të cilësohen si
historike, dhe kjo falë një gjenerate e cila më vonë do të bëhet pjesë e
proceseve të rëndësishme politke në Kosovë, Maqedoni e gjetiu…
Nëse i shohim këto ngjarje sipas një dioptrie historike – dialektike do
të vijmë në përfundim se asgjë rastësisht nuk ndodhi as para 30 viteve
dhe më së paku mund të konsiderohen si të rastësishme dhe të shkëputura
ato ngjarje nga rrjedha e gjatë e proceseve historike e kombëtare. Për
rrjedhojë, do të shohim se në trajektoren e gjatë të përpjekjeve tona
kombëtare për liri dhe pavarësi, janë fermentuar shumë ngjarje të
rëndësishme të cilat i kanë dhënë nxitje mobilizimit kolektiv të
popullit tonë. Por kjo nuk ka mundur të ndodhë pa një vetëdijësim
paraprak, prandaj mund të themi se në të kaluarën e largët ishte
Rilindja Kombëtare ajo që shërbeu si platformë e luftërave çlirimtare
deri tek Pavarësia, ndërkohë që në kohët e mëvonshme, konkretisht para
30 viteve ishte LPRK, gjegjësisht LPK, strumbullari i vetëdijësimit dhe
ndërgjegjësimit kolektiv të shqiptarëve për një rezistencë më të
organizuar dhe më aktive kundrejt sfidave që po sillte koha.
Poqese analizojmë edhe frymën e konkluzioneve që dolën nga mbledhja e
23 dhe 24 prillit të vitit 1993 në Kollarë, do të shohim se drejtuesit
dhe ideuesit e saj kishin marrë në konsideratë të gjitha rrethanat dhe
faktorët e kohës dhe mbi këto vlerësime kishin dizajnuar rrjedhën e
veprimeve të mëtutjeshme. Kjo pastaj do të vërehet edhe në shumë
artikuj, komente e shënime të botuara në shtypin ilegal të kohës,
emërues i përbashkët i të cilëve ishte shkëputja nga letargjia e
organizimit politik, i ashtuquajtur institucional, i fillimviteve 90-të
dhe kalimi në një organizim më aktiv, më përmbajtësor dhe më
revolucionar. Frytet e këtij organizimi do t’i shohim më vonë, kurse
bartësit e tij do të jenë në fakt edhe kreatorët e asaj që sot ne e kemi
si realitet dhe si produkt i një mendësie që solli pavarësinë e shtetit
të Kosovës dhe barazinë politike, kombëtare e institucionale të
shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Historia nuk mund të zhbëhet, dhe më së paku mund të ndodhë zhvendosja
e proceseve që sollën lirinë dhe dinjitetin e popullit tonë. Prandaj
është me shumë rëndësi të theksohet nevoja e përmbylljes së proceseve
nga eksponentët e njejtë që udhëhoqën këto veprime ndërgjegjësuese të
shqiptarëve dhe krijimi i parakushteve për formimin e elitave të reja
politike, të cilat do të zhvilloheshin mbi bazat e përvojave paraprka
dhe përvojave të reja.
Ashtu siç veproi Ali Ahmeti, bashkë me Fazliun Veliun dhe shokët e tyre
kur morën model personalitetet e shquara të historisë sonë kombëtare,
ndër ta edhe Kalosh Danin dhe trimat tjerë të Zajazit dhe gjithë
shqiptarisë, edhe elitat e reja politike do të duhej të bashkëdyzonin
përvojat historike me ato moderne, duke krijuar parakushte për një
algoritëm të ri ashtu siç kanë vepruar edhe popujt e civilizuar.
Pas një rekapitulimi 30 vjeçar të rrugëtimit politik e kombëtar të kësaj
gjenerate që sollën ndryshime radikale në jetën politike, shoqërore e
institucionale të shqiptarëve, do të duhej të krijohet një kulturë e
dinjitetshme nderimi e respekti ndaj bartësve të këtyre ndryshimeve,
duke i skalitur ata thellë në memorien e kombit. Vetëm në këtë mënyrë
mund të shpaguhet detyrimi ynë moral e institucional ndaj verimtarëve
tanë kombëtarë, sakrifica dhe vetmohimi i të cilëve ndryshoi thelbësisht
statusin shtetëror e kombëtare të shqiptarëve.
(Fjalë rasti në evokimin e 30 vjetorit të Mbledhjes historike të
LPRK-së që u mbajt më 23 dhe 24 prill 1993 në Kollarë të Kërçovës)
Shkup, 23 . 04. 2023