Zyrtarisht filloi me punë Bursa e Maqedonisë së Veriut e Energjisë Elektrike. Në ditën e parë të fillimit të punës, kjo bursë ka vendosur çmimin referencë mesatarisht 115 euro, që është vetëm 3 euro më pak se çmimi i sotëm i bursës referente ndërkombëtare HUPX. Deri më tani 22 kompani kanë nënshkruar marrëveshje për përdorimin e platformës, kurse kanë tregtuar 20 kompani.
“Tregtia është kryer në mënyrë të sigurt, pa asnjë problem. Janë tregtuar rreth 500 megavat orë, mesatarisht 20 megavat orë për tregti individuale, ndërsa çmimi mesatar i arritur në fund të tregtisë ishte 7.125 denarë. Më tej do të kemi çmim më real dhe stabilizim të tregut.”, – deklaroi drejtor i MEMO-s, Simon Shutrinovski.
Kjo bursë do të ulë varësinë që vendi të prokurojë energji elektrike në tregjet e huaja, vlerësojnë autoritetet. Në këtë bursë do të mund të tregtojnë të gjithë pjesëmarrësit në tregun me shumicë të
energjisë elektrike, të cilët janë zyrtarisht të regjistruar.
“Me shitblerjen aktive të energjisë elektrike në treg një ditë më parë, vendi ynë përfundimisht do të fitojë çmim referues të energjisë elektrike në tregun me shumicë.”, – theksoi zëvendëskryeministri për ekonomi, Fatmir Bytyqi.
“Kjo bursë maqedonase është hapi i parë drejtë pjesëmarrjes së mëtejshme të Maqedonisë së Veriut në tregun panevropian të energjisë elektrike.”, – u shpreh kryetari i KRrE-së, Marko Bislimovski.
Në këtë projekt është punuar mbi 5 vite, kurse zyrtarisht “u jetësua” me ndryshimet ligjore për energjetikë në vitin 2018 me çka formalisht u liberalizua tregu i energjisë elektrike.