Njësiti për krim të organizuar dhe Policia e Tetovës, kanë ndaluar 10 persona nga Tetova dhe Gostivari, të cilët dyshohen për pedofili. Një 15 vjeçare ka rënë pre e disa personave të cilët, më pastaj, e kanë shitur te biznesmenë dhe persona të tjerë. Në mesin e të ndaluarve sipas burimeve jozyrtare ka edhe biznesmenë të njohur nga Qyteti i Tetovës dhe Gostivarit, por edhe rrethina. Në policinë e Tetovës, sot janë marrë në pyetje dhe është bërë identifikimi i personave që kanë keqpërdorur të miturën, ndërsa bashkë me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, do të merren masat për paraburgim dhe zbardhjen e plotë të rastit. Në mesin e të ndaluarve është edhe një person 65 vjeçar nga Kamjani i Komunës së Bogovinës. Deri më tani ky është aksioni me numër më të madh të të ndaluarve për pedofili në Rajonin e Maqedonisë Perëndimore. Nga informatat jozyrtare deri më tani, fjala është për një rrjet, i cili përveç që ka keqpërdorur të miturit, edhe i kanë shitur tek biznesmenë të ndryshëm. Aksionin e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme por detaje janë paralajmëruar për nesër.