​Kurti: Nëse është dikush kundër nepotizimit jam unë dhe kjo Qeveri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe Qeveria që e udhëheq janë kundër nepotizmit.

Marketing

Kryeministri Kurti të enjten në Konferencën për Integritetin e Informacionit që është organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), ka thënë se në këtë aspekt janë të rëndësishme integriteti profesional dhe ai personal.

Në pyetjen për zgjidhjen e drejtorit, në transmetuesin publik, të RTK-së, Kurti tha se nuk ka interesim se kush zgjidhet në Radio Televizionin e Kosovës, mirëpo theksoi se është e nevojshme reforma.

Kurti theksoi se është kryeministri i parë qe nuk ka asnjë të punësuar në ministri me mbiemër tij, dhe në këtë formë tha se kjo qeveri është kundër nepotizmit.

“Nuk kam pasur dhe as që kam gatishmëri e interesim se kush zgjidhet në RTK, jam i interesuar të shoh radiotelevizionin që është lider në Republikën tonë për shkak se besoj në shërbimin publik. Por mendoj se në vitet e kaluara ka pas shpërputhje mes buxhetit dhe programit. Programet kulturore, edukative ku nuk mund të presësh shumë prej televizioneve private e kanë vendin të jenë edhe në sasi edhe cilësi në radiotelevizionin publik. Ka nevojë për reforma veçse ato duhet të bëjnë bordi dhe menaxhmenti. Nuk besoj se ka ndonjë subjekt politik i cili ardhur në qeverisje dhe anëtarët e atij subjekti kaq pak ose aspak janë punësuar… Nuk e inkurajoj askënd, mirëpo janë rregullat dhe ligjet që përcaktojnë se kush dhe ku duhet të zgjidhet. Asnjë anëtar e aktivist nuk e preferoj të marrë ndonjë detyrë, mbase jam kryeministri parë i cili nuk ka asnjë mbiemër tij të punësuar në ministri, as vëllezërit e mi e prindërit nuk kanë shkelur pragun e ndërtesës së qeverisë dhe nuk do ta bëjnë këtë. Nëse ka dikush që është kundër nepotizmit, është kjo qeveri…Jam për t’i parë njerëzit në dy kritere, integritetit profesional dhe integriteti personal, profesioni dhe etika, le të jetë i cilësdo parti. Por, besoj që kur t’i bëni kritikat që është punësuar dikush i VV-së, a do të thotë të më lavdëroni kur e punësojmë dikë të opozitës”, u përgjigj Kurti.

Sa i përket digjitalizimit, Kurti deklaroi se në mënyrë aktive po punojnë në digjitalizimin e ekonomisë, e që siguria kibernetike mbetet prioritet për qeverinë.

Kurti gjatë Konferencës për Integritetin e Informacionit u shpreh se Kosova ka një mbrojtje nga sulmet kibernetike, mirëpo sipas tij ende jo të mjaftueshme.

Gjatë diskutimit me të pranishmit, Kurti tha se për të qenë më të mbrojtur nga këto sulme kibernetike, kanë për synim që të bashkëpunojnë sa më shumë me profesionistet dhe ekspertët e sektorit privat.

“E kemi një mbrojtje solide, por ende jo të mjaftueshme. Kemi pasur sidomos dy raste me të theksuara te sulmeve në serverat e qeverise dhe ia kemi dalë përkundër pengesave që kanë shkaktuar. Pra, nuk kanë arritur të na dëmtojnë sistemin, mirëpo na e kanë vështirësuar funksionimin…Problem janë dhe historitë e rrejshme, ka deformim të historive të shekujve të kaluar, por edhe deformim të kohërave që kemi kaluar edhe vet ne. Çdo javë dëgjojmë ndonjë lajm që është për të kaluarën tonë e që e dimë që është i rrejshëm, rastet për mohimin e krimeve. Dhe këto shkaktojnë probleme sidomos tek të rinjtë, në njërën anë sulmet kibernetike mbi sistemin qeveritar dhe jo vetëm, dhe anën tjetër i kemi ato të cilat janë sulme që nuk kanë qëllim rënien e sistemit por deformimin e opinionit. Dëshirojmë që sa më shumë të bashkëpunojmë me sektorin privat, meqenëse jemi dëshmitar se edhe ekspertët e profesionistet më të mëdhenj që i kemi në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit janë në këtë sektor”, tha Kurti.

Kurti tha se strategjia e re e sigurisë kibernetike vë theks të veçantë në arsim dhe në veprimet e masat parandaluese.

“Digjitalizimi dhe avancimi ne teknologjinë informative po sjellin ndryshime transformuese ne ekonomi dhe në shoqëri, ato po ofrojnë fitime të shumta duke fuqizuar qytetarët, kompanitë dhe shoqëritë civile dhe në këtë botë të ndërlidhur, komunikimi i menjëhershëm dhe bashkëpunimi në kojë reale është bërë enormë. Digjitalizimi dhe teknologjia nxisin inovacionin dhe mundësojnë modele të reja biznisore dhe nxisin një botë konkurruese duke ofruar shërbime më të mira. Digjitalizimi kontribuon në një shoqëri më gjithëpërfshirëse demokratike dhe marrë parasysh ndikimin transformativ të digjitalizimit në të gjitha sektorët mbetet një prioritet i lartë për qeverinë tonë…Në mënyrë aktive po punojmë për digjitalizimin e ekonomisë… Strategjia jonë e re e sigurisë kibernetike vë theks të veçantë në arsim dhe në veprimet e masat parandaluese “, tha Kurti.

Kurti mes tjerash tha se gratë dhe vajzat janë ato që përballën më shpesh me shqetësime në hapësirat kibernetike, sipas tij ato mund të ndikojnë në sigurinë e tyre të përgjithshme./Kosovapress