Mariçiq nga Prishtina: Eurointegrimi të bashkojë rajonin

Rajoni duhet të jetë në një tryezë kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane të rajonit, strategjinë dhe qëllimin perëndimor, ka thënë zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq, në takim me zëvendëskryeministrin e parë për integrime të Kosovës, Besnik Bislimi.

Marketing

Nga Prishtina, Mariçiq ka theksuar se aspirata për në BE është e vështirë, por qasja dhe bashkëpunimi i përbashkët rajonal mund ta bëjë rrugëtimin më të lehtë. Ka siguruar mbështetjen e RMV-së për integrimin e Kosovës në BE dhe në organizatat tjera. Janë biseduar edhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

“Kosova gëzon përkrahjen dhe partneritetin e plotë të Maqedonisë së Veriut për integrim sa më të shpejtë në organizatat ndërkombëtare dhe në arritjen e qëllimit strategjik, e që është anëtarësimi në BE. Kemi shumë fusha ku mund ta përmirësojmë bashkëpunimin, e në veçanti në procesin e integrimit ku Kosova mund të llogarisë në ndihmën dhe shkëmbimin e përvojave. Është me rëndësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të ulen në një tavolinë dhe të demonstrojnë konsensus, unitet dhe gatishmëri për të ecur drejt BE-së, duke iniciuar mbledhje të përbashkët nga të gjithë ministrat e eurointegrimeve të rajonit.”, – u shpreh zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq.

Mariçiq siguron homologun e tij kosovar për përkrahjen e vendit mbi normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë –Beograd duke shpresuar që dakordimi mes dy palëve në Ohër, të jetë bazë për arritjen e kompromisit në mënyrë evropiane.

Nga sekretariati për eurointegrime njoftojnë se i pari i këtij dikasteri, në Prishtinë, ka marrë pjesë edhe në konferencën për Ballkanin Perëndimor, sigurinë dhe bashkëpunimin në këtë rajon.