RMV/Shtohet dukshëm biznesi me kreditë e shpejta

Pikat e dhënies së kredive të shpejta kanë mbirë si kërpudha kohëve të fundit në vend. Në disa pika që vizituam në kryeqytet, na ofruan deri në 20 mijë denarë si kredi fillestare që në tri rata të kthehen rreth 26 mijë. Kurse kredia më e lartë ishte 150 mijë denarë, që për 6 rata do të duhet të ktheheshin 230 mijë denarë ose 80 mijë më shumë. Qytetarët thonë se kjo është fajde e legjitimuar nga shteti, që rrjepin nga xhepat kategoritë skamnore.

Marketing

Reklama
“Dashtë Zoti të fitojmë vetë e mos të kemi nevojë për kreditë, por duhet të punosh në dy turne se edhe këtu ka bukë. A me 3-4 orë punë të kërkosh shumë para, ashtu nuk ka. Ndoshta dikush ka zor dhe thotë qe unë po shkoj të marr një kredi, por nuk ia kisha preferuar askujt.” – qytetar.

Reklama
“Nuk kam marr as që do të marr ndonjëherë, nuk kam marr kurrë në jetë kredi, nuk kam nevojë. Përse, nuk iu beson? Jo, dhe as nuk kam nevojë” – qytetar.

“Nuk është në rregull se kamatat janë më të larta! Ku është fukarallëku janë edhe këto. Për një muaj të thonë 5 mijë i merr 5 mijë i kthen, kur të vjen puna duhet ti kthesh 6 mijë. Kemi zor, s’po arrijmë me paga” – qytetar.

Huadhënia për personat fizik nga shoqëritë financiare rregullohet nga Ligji për Kredinë Konsumatore, që nga viti 2008.

Sipas Ligjit për shoqëri financiare këto biznese regjistrohen me kapital themelor më pak se 100 mijë €.

“Kemi asistencë teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Thesari Amerikan, ekipe të cilat punojnë për të avancuar legjislacionin dhe mbikëqyrjen, jemi të njoftuar për të gjitha detajet”, deklaro Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

Reklama
Ministria e Financave kumton se përveç mbikëqyrjes së shoqërive financiare, vepron edhe për ankesat e qytetarëve. Vjet kanë kryer 16 inspektime në terren, gjatë të cilave janë vendosur disa sanksione dhe masa penale. Në vitin 2022, sipas tyre janë dhënë 13 gjoba dhe 22 urdhra për tejkalimin e parregullsive.

“Në vitin 2022 janë lidhur gjithsej 315.654 marrëveshje kredie, nga të cilat 315.287 janë marrëveshje kredie me persona fizik, dhe 367 janë marrëveshje kredie të lidhura me persona juridikë. Vlera e marrëveshjeve të lidhura për kredi në vitin 2022 është 10 miliardë denarë, prej të cilave 9 miliardë denarë janë me persona fizik dhe 1,1 miliardë denarë me persona juridikë”, thonë nga Ministria e Financave.

Ministria e Financave thotë se ka përgatitur ndryshimet në ligj për të mbrojtur qytetarët që përdorin mikro-kredi nga këto kompani. Qëllimi, sipas tyre është mbrojtja e qytetarëve nga kostot e tepërta dhe praktikat e padrejta. Duke kufizuar shpenzimet që nuk përfshihen në normën vjetore të kostove totale, qytetarët do të dinë paraprakisht se cilat janë kostot maksimale që kompania financiare do të mund të ngarkojë. Kjo do të rrisë sigurinë e qytetarëve dhe do të zvogëlojë rrezikun e mbingarkesës së tyre, në të njëjtën kohë shoqëritë financiare do të detyrohen të shfaqin publikisht listën e tarifave.