Bayer Leverkusen kapet me Mourinhon: E arriti qëllimin në mënyrë të shpifur

Bayer Leverkusen, që ëndërronte të kthehej në një finale evropiane pas 21 vitesh, u eliminua në gjysmëfinalet e Europa League nga Roma e Jose Mourinhos.

Marketing

Goli i vetëm i Edoardo Bove në ndeshjen e parë i mjaftoi ekipit italian që të arrinte finalen, edhe pse gjermanët e dominuan ndeshjen nga fillimi në fund, duke pasur zotërimin e topit 72% të kohës dhe duke goditur plot 23 herë, kundrejt një gjuajtjeje të Romës.

Statistika që nuk u lanë pa përmendur nga futbollistët e Leverkusenit pas ndeshjes. Kerem Demirbay la mënjanë diplomacinë dhe u shpreh kështu: “Është mëkat që një stil loje si ky (i Romës) të shpërblehet në gjysmëfinalet e një kompeticioni të nivelit të lartë. Është e trishtë për futbollin. Por, duhet përgëzuar kundërshtari, edhe pse e arriti objektivin në mënyrë të shpifur”.

Edhe shoku i tij i skuadrës, Nadiem Amiri, ishte në të njëjtën valë mendimi: “Jam i mërzitur, nuk e meritonim të eliminoheshim nga një ekip që nuk ka lidhje me futbollin. Nuk mund ta besoj që u kualifikuan ata, me dy ndeshjet që kanë zhvilluar… Ky nuk është futboll”.