Kallëzim penal kundër një punonjësi të Policisë së burgut për “lirim të paligjshëm të një personi të privuar nga liria”

Njësiti për korrupsion pranë Departamentit për luftë kundër krimit të organizuar sot deri në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur kallëzim penal kundër personit J.J.(47) nga Shkupi për veprën penale “lirim të paligjshëm të personit të privuar nga liria”, të parashikuar dhe dënuar sipas nenit 373 të Kodit penal.

Marketing

“Ai në cilësinë e personit zyrtar – i punësuar në Policinë e burgut në INP- SHNP Idrizovë Shkup, ka liruar të dënuarin D.K. nga Kumanova, duke i mundësuar arratisjen nga institucioni”, informojnë nga MPB-ja.

Përkatësisht, J.J. më 20 maj, ditën e shtunë, teksa ka qenë në detyrë, ka liruar D.K., i dënuar me burg deri në vitin 2027 për vepra të kryera penale sipas nenit 237 paragrafi 1 dhe nenit 396 paragrafi 1 të Kodit penal i cili ka pasur trajtim të mbyllur të kategorisë B2.

“I dënuari, duke përfituar nga besimi i J.J., i ka kërkuar kartën magnetike zyrtare për të hapur derën e sigurisë së Departamentit të hapur, me arsyetimin se do të shkonte në një pjesë tjetër të hapësirës ku ka qenë i angazhuar më parë. Pasi i dënuari ka hapur derën e sigurisë, ia ka kthyer kartën pronarit dhe më pas është larguar në drejtim të ‘portës së gjelbër’. Diçka më vonë gjatë këqyrjes së numrit është konstatuar se i dënuari ishte zhdukur, pra se është arratisur nga burgu”, thonë në MPB.