Rama: Shpresoj që tri kërkesat e BE-së të plotësohen menjëherë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi në rrjete sociale pas një postimi të Përfaqësuesit të Lartë të BE për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Joseph Borrell mbi kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë.

Marketing

Borrell bëri të qartë tri kërkesat për të dy vendet që janë zgjedhje të reja lokale në katër komunat veriore, pjesëmarrjen e serbëve lokalë në zgjedhje si dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Rama në postimin e tij vlerësoi angazhimin e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz për atë që po bëjnë për të finalizuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Nuk mund të falënderoj sa duhet presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz për atë që po bëjnë për të finalizuar procesin e normalizimit Kosovë-Serbi! Duke i parë ata të ulur me aq respekt me të dyja palët në përpjekje për të zgjidhur një konflikt absurd tregon gjithçka për shpirtin e tyre të madh evropian. Faleminderit!”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Rama lavdëroi gjithashtu presidenten Vjosa Osmani, e cila foli drejtpërdrejtë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Gjithashtu lavdëroj presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin që foli drejtpërdrejtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe shpresoj vërtet që këto tri kërkesa të plotësohen menjëherë në mënyrë që ky konflikt absurd të përfundojë para se të dëmtojë reputacionin e Kosovës përtej riparimit të saj të shpejtë dhe integrimit të saj të mëtejshëm në komunitetin demokratik”, shkroi Rama.

Rama falënderoi edhe Përfaqësuesin e Lartë të BE, Joseph Borrell.

“Një falënderim i madh edhe për Josep Borrell, për pasionin dhe durimin e tij për të ndihmuar që të realizohet përfundimisht ky zbulim historik”, shtoi ai.