Suedia afër synimit për tu bërë vendi i parë në Europë ‘pa duhanpirje’

Suedia, e cila ka shkallën më të ulët të pirjes së duhanit në Bashkimin Evropian, është afër synimit për tu klasifikuar si vend “pa duhanpirje”. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të marrë këtë status, niveli i pirjes së duhanit në një vend duhet të jetë më pak se 5 për qind. Suedia është shumë afër arritjes së këtij niveli.

Marketing

Në zonat publike në Suedi, një vend me 10.5 milionë banorë, nuk është e zakonshme të shohesh njërëz duke pirë cigare.

Pirja e duhanit është e ndaluar në stacionet e autobusëve, platformat e trenave, jashtë spitaleve dhe ndërtesave të tjera publike.

Ashtu si në pjesën më të madhe të Evropës, pirja e duhanit nuk lejohet brenda restoranteve, por që nga viti 2019, ndalimi i pirjes së duhanit në Suedi zbatohet edhe për mjediset e jashtme publike, në natyrë.

Sipas agjencisë së statistikave Eurostat, vetëm 6.4 për qind e suedezëve mbi 15 vjeç ishin duhanpirës të përditshëm në vitin 2019, niveli më i ulët në Bashkimin Evropian. Në bllokun 27 anëtarësh mesatarisht 18,5 për qind e banorëve ishin duhanpirës të përditshëm në vitin 2019.

“Jo, nuk pi duhan. Nuk e di pse. Nuk e kam filluar kurrë”, thotë banori i Stokholmit, Andreas Modig.

“Na pëlqen një mënyrë e shëndetshme e të jetuarit, mendoj se kjo është arsyeja. Nuk më pëlqen aroma, dua të kujdesem për trupin tim, kështu që jo, nuk ka qenë kurrë një interes për mua”, thotë Carina Astorsson, një tjetër banore e Stokholmit.

Shumë ekspertë thonë se ky është rezultat i fushatave dhjetëra vjeçare dhe ligjeve kundër duhanpirjes.

“Nuk mund të pish duhan në rrugë, është e ndaluar në kaq shumë zona. Nganjëherë më vjen pak keq për duhanpirësit sepse është e ndaluar pothuajse kudo”, thotë Cecilia, banore e Stokholmit.

Por ekspertët theksojnë përhapjen e “snus”, një produkt duhani pa tym që është i ndaluar në vendet e tjera të BE-së, por që shitet në Suedi si një alternativë ndaj cigareve.

Këtë produkt, të paketuar në qese të vogla me duhan të lagur, njerëzit e përdorin duke e vendosur nën buzët e sipërme.

Suedezët e pëlqejnë aq shumë këtë produkt duhani, të ngjashëm me disa produkte që shiten në Shtetet e Bashkuara, saqë kërkuan një përjashtim nga ndalimi i BE-së për duhanin pa tym kur u anëtarësuan në BE në vitin 1995.

Për “Swedish Match”, një kompani e specializuar në prodhimin dhe shitjen e produkteve të duhanit, “snus” është pjesë e identitetit suedez.

“Është pjesë e kulturës suedeze, është si ekuivalenti suedez i proshutës italiane të Parmës apo ndonjë zakon tjetër kulturor”, thotë Patrik Hildingsson, zëdhënës i kompanisë “Swedish Match”, prodhuesi më i mirë i “snusit” në Suedi, e cila u ble nga gjigandi i duhanit “Philip Morris” vitin e kaluar.

Gjatë dhjetë viteve të fundit përdorimi i duhanit të lagur dhe formave të tjera pa tym të nikotinës u rrit nga 11.2 në 13.7 për qind.

Marina Sohlberg, pedagoge në Universitetin e Stokholmit, thotë se politikat kundër duhanit në Suedi kanë pasur efektin e stigmatizimit të duhanpirjes dhe duhanpirësve, duke i larguar ata nga hapësirat publike në oborret e shtëpisë dhe në zonat e caktuara për duhanpirjen.

“Ligjet dhe politikat tona po u dërgojnë sinjale duhanpirësve se kjo nuk pranohet nga shoqëria”, thotë ajo.

Zonja Sohlberg e pranon se edhe duhani i lagur është i rrezikshëm për shëndetin. Por ajo thotë se duhet të ketë një përqëndrim më të madh në pakësimin e dëmit ndaj shëndetit në luftën kundër duhanpirjes.

“Për t’i larguar njerëzit nga pirja e duhanit, që është i dëmshsëm për shëndetin, ne duhet tu ofrojmë atyre një alternativë që është më pak e dëmshme”, thotë ajo.

Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kalimi nga një produkt i dëmshëm në tjetrin nuk është zgjidhje.

“Nxitja e të ashtuquajturës “qasje për reduktimin e dëmit” ndaj duhanit është një mënyrë tjetër se si industria e duhanit po përpiqet të mashtrojë njerëzit rreth natyrës së rrezikshme të këtyre produkteve”, tha OBSH përmes një emaili për agjencinë e lajmeve Associated Press./VOA