“Çohu Serbi”/ Përhapet protesta ‘Serbia kundër dhunës’, kërkohet dorëheqja e Vuçiç

Për të shtatën herë që nga fillimi i majit, mijëra njerëz dolën në rrugët e qyteteve në Serbi për të protestuar ndaj rritjes së rasteve të dhunës, veçanërisht pas dy vrasjeve masive në territorin e kryeqytetit brenda dy ditëve.

Marketing

Ndryshe nga javët e kaluara, protesta e sotme po mbahet njëkohësisht në katër qytetet më të mëdha – Beograd, Novi Sad, Nish dhe Kragujevc.

Protestat dhe marshimet po vazhdojnë në të gjitha qytetet pa incidente, ndërsa përfaqësuesit e opozitës kanë paralajmëruar se javën e ardhshme do të organizohen tubime edhe në 10 qytete të tjera në Serbi, nëse qeveria nuk i plotëson kërkesat.

Në protestat nën sloganin “Serbia kundër dhunës”, e cila filloi pas dy tragjedive të mëdha në të cilat u vranë 18 persona, kryesisht fëmijë dhe të rinj, opozita kërkon ndryshime në qeveri dhe në përgjithësi një veprim më vendimtar nga autoritetet shtetërore në zgjidhjen e problemeve më të mëdha sociale.

Opozita kritikon qeverinë për vite me rradhë duke kontribuar në krijimin e një mjedisi në shoqëri që çoi në një rritje të dhunës, të cilën presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe bashkëpunëtorët e tij e mohojnë dhe kundërshtojnë se është opozita ajo që bën thirrje për dhunë dhe se “keqpërdori tragjedi për qëllime politike”.

Këto janë demonstratat më masive kundër Vuçiçit dhe qeverisë së tij deri më tani.

Me tingujt e këngës së vjetër “Çohu Serbi” të shkruar nga edukatori Dositej Obradoviq, demonstruesit kanë shkuar në shëtitje të qetë drejt urës së Gazelës.

Protestuesit në Beograd mbanin pankarta kartoni me personazhe të pikturuara me ngjashmëri me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, kryetarin e bashkisë së Beogradit Aleksandër Shapiq, ministren e policisë Bratislava Gashiq, drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit Aleksandër Vulin dhe Prokuroren Publike të Republikës Zagorka Dolovac./