Viti i ri shkollor mund të fillojë në mes të shtatorit, flitet edhe për pushim pranveror

Arsimtarët dhe sindikatat po shqyrtojnë propozimet e Ministrisë së Arsimit dhe shkencës që viti shkollor të fillojë diku nga mesi i muajit shtator dhe jo siç ka qenë e zakontë, më 1 shtator. Shqyrtohet edhe mundësia e dytë për pushim pranveror, ndërsa procesi mësimor të mbarojë në fund të muajit qershor.

Marketing

Ministri Jeton Shaqiri, thekson se propozimet akoma nuk janë dorëzuar në Qeveri. Analizat se cili propozim është i pranueshëm për sindikatat dhe arsimtarët do të mbarojnë javën e ardhshme.

“Një pjesë të këtyre propozimeve i kemi dëgjuar nga prindër dhe kuadri arsimor, por prapë se prapë për çdo propozim do të duhet të vendosë Qeveria. Varianti i dytë është vazhdimi i vitit diku në mes të muajit shtator pa dashur të precizojë data, ndërsa varianti i tretë është të fillohet me 1 shtator, por të ketë pushim pranveror.”, – deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Në krahasim me vitin shkollor që lamë pas, këtë vit, ministri Shaqiri siguron se do të fillojë pa problemet dhe të pajisur me librat shkollor.

Sa i përket maturës shtetërore përsëriti qëndrimin e Qendrës shtetërore të provimeve. Pyetjet nuk janë treguar, por janë zbuluar gjatë provimit.

Shaqiri pret që deri në fund të muajit, rezultatet nga matura shtetërore të jenë të gatshme. Nëse konstatohen parregullsi, do të ndërmerren masa, shtoi Shaqiri