Pas shumë peripecive, pas shumë problemeve për shpronësim, më në fund Tetova pas pothuajse 17 vitesh do të ketë një bulevard të ri dhe shumë të kërkuar nga banorët dhe jo vetëm. Bëhet fjalë për Bulevardin “Bllagoja Toska”, i cili ka qenë premtim i të gjithë kryetarëve të komunës së Tetovës si në fushatë elektorale poashtu edhe gjatë kohës sa kanë qenë në detyrë. Ky bulevard filloi të ndërtohet në vitin 2020, pas shumë problemeve me procesin e shpronësimit, e banorët që jetonin në këtë pjesë të qytetit. Gjatë vitit 2021, është punuar intenzivisht por sërish ishin shfaqur me disa pronarë, të cilët disa herë edhe kishin bllokuar punimet. Krahas kësaj, probleme ishin shfaqur edhe gjatë punimeve kur ndërmarrja që kryente punimet kishte hasur në rrjete nëntokësore si të ujësjellësit poashtu edhe të rrymës elektrike që kishte vështirësuar punimet derisa të dislokoheshin këta rrjete. Këta probleme kishin bërë që gati një vit të zgjateshin punimet në këtë bulevard i cili tashmë është lëshuar në përdorim dhe pritet që të lehtësojë sadopak komunikacionin e stërngarkuar nga rrugët tjera të Tetovës.
Advertisements
Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami pasi inauguroi këtë bulevard tha se projektet e këtilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të lehtësuar komunikacionin në qytetin e Tetovës.
Gjatësia e bulevardit “Bllagoja Toska” është 450 metra me gjerësi prej 22 metrave. Vlera totale e projektit është 40 milion denarë duke përfshirë edhe aneksin. Në projektin janë përfshirë edhe instalimi nëntokësor me rrjetin elektrik, kanalizimi fekal dhe atmosferik si dhe ndriçimi publik. Bulevardi i fundit që është ndërtuar në Tetovë është bulevardi i “Ilindenit”, i cili u ndërtua në vitin 2006. (koha.mk)