Mexhiti: Visar Ganiu është i kërcënuar, por s’ka veprim të prokurorit dhe MPB-së

Nënkryetari dhe njëri nga krerët e fraksionit të BDI-së, Izet Mexhiti ka folur për Alfa lidhur me kërcënimet e bëra ditë më parë ndaj kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Marketing

Sipas tij, kjo dukuri nuk është diçka e re në BDI-së sepse edhe në të kaluarën zgjedhjet për shefat lokal të saj kanë kaluar me të shtëna dhe vrasje. Ai në këtë rast përmendi si shembull Kumanovën, ku siç pohoi skenaret e tilla nuk duhet lejuar më brenda kësaj partie.

“Edhe në të kaluarën, pikërisht për zgjedhjet për degë, sidomos në degën e Kumanovës, në dy raste ka pasur krisma armësh, ka pasur të vrarë dhe të plagosur, ka njerëz që vuajnë dënime me burg…Nëse duan që ta shohin këtë film, ne nuk do të biem pre e këtyre provokimeve”, theksoi Mexhiti për televizionin Alfa.

Ai konfirmon se Ganiu është kërcënuar nga Muharrem Hasani, që është kandidat për kryetar të degës së Butelit të BDI-së. Mirëpo sipas tij është problem se autoritetet përgjegjëse ende nuk reagojnë, edhe pse ka denoncim për rastin.

“Atë që e tha zotëri Ganiu, unë vetëm mund ta konfirmoj dhe kjo është denoncuar si rast në MPB. Mirëpo nuk kemi veprim të prokurorit publik, MPB-së, dhe kjo do të thotë se shteti i së drejtës nuk funksionon, ose funksionon në mënyrë selektive për ata që janë në pushtet”, thotë Mexhiti.

Por, Muharem Hasani ka demantuar këto pohime të Ganiut, dhe se sipas tij, këto janë tentime për të njollosur zgjedhjet demokratike në BDI.

Mexhiti po ashtu ankohet se pjesëtarët e fraksionit të BDI-së po përballen me terror të vërtetë nga ana e krahut partiak të udhëhequr nga Artan Grubi. Mexhiti nuk beson më se situata do të rregullohet, për shkak se në BDI gjithçka varet nga vullneti i kryeministrit të parë.(INA)