Forumi për ndryshime në arsim: Politika t’i mbajë duart larg UT-së

Partitë politike duhet t’i mbajnë larg duart nga Universiteti i Tetovës, kështu kanë deklaruar sot nga Forumi për Ndryshime në Arsim, Blendi Hodai. Sipas tij, zgjedhja e rektorit të UT-së ishte autokratike. Hodai më tej akuzon ministrin e Arsimit, inspektoratin e Arsimit dhe UT-në, të cilët edhe përkundër tërheqjes të tre kandidatëve, ata vazhduan procesin e zgjedhjeve.

Marketing

“Politika t’i mbajë duart larg Universitetit të Tetovës. Është bërë boll arsyetimi i keqpërdorimeve, korrupsionit e shkeljeve tjera duke u fshehur nën petkun e “kauzës kombëtare” shkatërrimi i këtij Universiteti, ndërsa shfrytëzimi i emrit të tij për pikë politike sa herë të keni ju nevojë, nuk i bën mirë as shqiptarëve e as UT-së. Tërheqja nga gara e 3 kandidatëve nuk ia prishi gjumin fare as Universitetit, as Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, as Inspektoratit të Arsimit e as institucioneve tjera të hetuesisë në vend dhe gara vazhdoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Për FNA-në rruga e zgjedhjes së rektorit të ri të UT-së ishte absolutisht autokratike dhe që nuk i shkon një tempulli të dijes, siç është në këtë rast Universiteti i Tetovës. Partitë politike nuk e duan UT-në, as s’ja duan të mirën asaj, por ia duan të mirat financiare që burojnë nga ky institucion.”, – deklaroi Blendi Hodai nga FNA-ja.