A po ndahen rrugët në Grupin e Zjarrit?

Burime të TV21 kanë mësuar se Blerim Bexheti ka ngrire përkohësisht aktivitetet e tij me Grupin e Zjarrit dhe është fokusuar në bashkëpunimin me Qytetin e Shkupit. Bashkëpunimi mes dy eksponentëve kryesorë të Grupit të Zjarrit, Izet Mexhiti dhe Blerim Bexheti, duket se po përballet me një krizë që mund të çojë në ndarje.

Marketing

Sipas burimeve të TV21, kohët e fundit ka pasur mosmarrëveshje midis tyre në lidhje me bashkëpunimin. Përkrahësit e Izet Mexhitit brenda Grupit të Zjarrit kanë përshëndetur formimin e një subjekti të ri politik, ndërsa përkrahësit e Blerim Bexhetit kanë insisutuar që konflikti të zgjidhet brenda BDI-së dhe të funksionojë si fraksion.

Mosmarrëveshjet janë thelluar edhe më tepër kur Danella Arsovska shkarkoi Sait Saitin nga posti i drejtorit në Ndërmarrjen Publike “Rrugë dhe rrugica”, me arsyetimin e komunikimit të afërt të disa anëtarëve të Grupit të Zjarrit me opozitën, veçanërisht me Mickoskin. Tani, në vend të Saitit është emëruar Qamil Kovaçi, person i afërt me Blerim Bexhetin.

Këto zhvillime duket se kanë rritur tensionet dhe kanë sjellë Grupin e Zjarrit në prag të ndarjes. Derisa Blerim Bexheti ngrin aktivitetet dhe është fokusuar në bashkëpunimin me Qytetin e Shkupit, nuk dihet se si do të vazhdojnë Musa Xhaferi dhe Nevzat Bejta. Sipas burimeve të TV21, Izet Mexhiti megjithatë ka vendosur që aktivitet ti vazhdojë vet me përkrahësit e tij.