Marrëdhëniet dypalëshe, procesi i integrimeve evropiane, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimet aktuale politike në rajon, ishin temat që sot kanë biseduar zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend Angela Ageler.
Siç kumtoi Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE), Mariçiq e informoi shkurt Agelerin për rrjedhën e procesit të skriningut, për përpunimin e Udhërefyesve dhe cilat janë pritjet e tij në pritje të marrjes së raporteve të skriningut.
Në këtë drejtim, thekson SÇE, Mariçiq tregoi hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren për përparim të shpejtë në proces, duke theksuar se mbështetja e SHBA-së do të jetë e rëndësishme për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Përkrahja dhe ndihma politike dhe zhvillimore amerikane që synon forcimin e demokracisë, reformat në drejtësi, ekonominë e Maqedonisë dhe sektorin energjetik ndihmon dhe kontribuon shumë në arritjen e standardeve të BE-së sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Mariçiq.
Ambasadorja Ageler, siç informoi SÇE, shprehu besimin se SHBA dhe Maqedonia e Veriut kanë një nivel të lartë të marrëdhënieve të ndërsjella dhe se në të ardhmen do të vazhdojnë të punojnë në forcimin e partneritetit strategjik, me fokus në përmbushjen e prioritetit të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe për krijimin e kushteve për afrim të ri me BE-në, deri në fund të vitit.
“Mariçiq në takimin që zhvilloi në prag të vizitës së tij zyrtare në Uashington, e informoi ambasadoren amerikane për aktivitetet dhe planet e Qeverisë për përmbushjen e prioriteteve reformuese, si pjesë e agjendës evropiane, mbi të gjitha në fushat e sundimit të ligjit dhe të luftës kundër korrupsionit. Mariçiq theksoi se është e rëndësishme që perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse, të cilat deri më tani, siç tha ai, “në masë të madhe kanë kontribuar në arritjen e rezultateve të rëndësishme në disa fusha”, të cilat janë një kontribut i përbashkët i të dy vendeve në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE.