Gjatë vizitës së tij në Shkup, Rama do të takohet me Kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Në kuadër të vizitës, është paraparë takim tet-a-tet ndërmjet kryeministrave Kovaçevski dhe Rama. Më pas, do të mbahet edhe takim dypalësh në të cilin përveç kryeministrave do të marrin pjesë edhe delegacionet qeveritare të të dyja vendeve.
Në përbërje të delegacionit të udhëhequr nga kryeministri Rama janë Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes, Majlinda Duka, ministre e Shtetit dhe kryenegociatore e Shqipërisë, si dhe zëvendëssekretarja e përgjithshme, Elira Kokona.
Në përbërje të delegacionit të Maqedonisë së Veriut i udhëhequr nga kryeministri Kovaçevski janë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Artan Grubi, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koordinim të Resorëve Ekonomikë dhe Investimeve Fatmir Bytyqi, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, si dhe ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska.
Pas takimit në Qeveri, të dy kryeministrat do të mbajnë konferencë për shtyp.
Gjatë vizitës në Shkup, Rama pritet të takohet edhe me aktorë të tjerë politikë.
Pas Shkupit, Rama niset për në Prishtinë, ku do të takohet vetëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kryeministri Albin Kurti nuk pranoi të takohet me të. Më pas Rama do ta vizitojë edhe Sarajevën, ku do të ketë takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto.
Turin ballkanik kryeministri shqiptar do ta përmbyllë me vizita në Podgoricë dhe Beograd dhe takime me kryeministrin malazes Dritan Abazoviq dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.