Policia kontrollon banesën e presidentit të PSG, denoncohet për rrëmbim dhe torturë

Policia franceze mësyu në shtëpinë e presidentit të Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, pas denoncimit për rrëmbim dhe torturë të një personi në Katar. Hetimi nisi pas akuzës nga Tayeb Benabderrahmane.

Marketing

Denoncimi i 42-vjeçarit franko-algjerian u bë janarin e kaluar. Ai pretendonte se në janar të 2020-s ishte arrestuar në Katar.

Benabderrahmane pretendonte se ishte mbajtur gjashtë muaj nga policia lokale, që e merrte në pyetje rreth dokumenteve për të cilat akuzohej se i posedonte. Sipas akuzës, ato materiale rrezikonin të ishin kompromentuese për Al-Khelaifin.

Sipas një shënimi nga DGSI, shërbimet e inteligjencës franceze, në ato dokumente mund të ketë video intime të Al-Khelaifit me një femër. Gjithashtu, përflitet edhe për biseda telefonike të presidentit të PSG, sekretarit të FIFA-s dhe emirit të Katarit, Al-Thani, të ruajtura në një telefon të vjetër, të cilat mund të lidhen me çështjen e organizimit të Botërorit 2022.

Aty mund të zbulohen edhe fakte se si monarkia e Gjirit Persik arriti të fitonte të drejtën e organizimit të Kupës së Botës. Mes dokumenteve ka edhe materiale rreth garës për të drejtat e transmetimit të aktivitetit më të rëndësishëm global.

Përfaqësuesit ligjorë të Al-Khelaifi thanë se po bashkëpunojnë me autoritetet, duke i vendosur në dispozicion gjithçka që nevojitet për të bërë transparencë. Prillin e kaluar, avokatët e sheikut njoftuan se do të hidhnin në gjyq Benabderrahmane për shpifje.